Përurohen serverat e UKT, Veliaj-qytetarëve: Shfrytëzoni shkurtin për kontratat

01/02/2018 12:22

Bashkia e Tiranës dhe USAID përurojnë dhomën e serverave të UKT dhe programin e ri. Ky projekt do të sjellë përmirësim në monitorimin e të gjitha depove kryesore, sistemin Scada dhe menaxhimin e impiantit të Bovillës.

“Kemi bashkuar energjitë dhe financat tona, për t’i siguruar UKT dhomën më të sofistikuar të serverëve. Ky është një investim afatgjatë, për t’u siguruar që jo vetëm rrjeti i ujit zhvillohet, por edhe rrjeti i teknologjisë, i informacionit dhe i gjithë databazës sonë dhe gjithashtu mban hapin e investimeve në Ujësjellës. Më vjen mirë që falë ndihmës shumë bujare të USAID-it, kemi investuar rreth 1 milionë dollarë për këtë dhomë serverash, duke kthyer ujësjellësin e Tiranës nga epoka e letrës së bakallit, në një sistem të sofistikuar që mbledh jo vetëm faturat e ujit, por edhe taksat e Bashkisë”, tha kreu i bashkisë Erion Veliaj.

Ai vlerësoi vendimin e qeverisë për të zgjatur edhe me një muaj afatin e vetëdisiplinimit të konsumatorëve familjarë, duke u dhënë atyre më shumë kohë në dispozicion për të përfituar nga mundësia e rivendosjes vullnetare në kushtet e ligjshmërisë.

“Besoj se vendimi i kryeministrit ishte një vendim i drejtë, për t’u dhënë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë edhe një muaj kohë, pra edhe muajin shkurt, për të pasur mundësi që të lidhin sahatin, të lidhin kontratën me Ujësjellësin. Duhet të pranojmë që uji është pronë, pasuri e përbashkët e të gjithëve. Askush nuk mund ta vjedhë, ta shpërdorojë, sepse praktikisht po ia heq këtë mundësi dikujt tjetër që e paguan. Ndaj, dua të ftoj të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë hapësirën e shkurtit që ofroi kryeministri, për të nxituar, duke shkurtuar radhët dhe duke përdorur të katër këto javë për të mbyllur kontratat e reja”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku u shpreh besimplotë se edhe ajo pakicë që deri më tani nuk ka lidhur një kontratë të rregullt me UKT dhe i është shmangur pagesave, do t’i përgjigjet thirrjes për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e ujit të pijshëm.

“Kush ka vendosur të jetojë në Tiranë, ka pranuar se këtu i respektojmë rregullat, kontratat shtetërore. Në Tiranë, nuk do të vjedhim pronën publike dhe ashtu si mbi 90% e popullsisë së Tiranës, e cila i paguan të gjitha faturat e detyrimet, besoj se edhe ai 10% që ka mbetur, në vend që të penalizohet, do të ofrohet vetë vullnetarisht”, deklaroi Veliaj.

Ai e cilësoi të shkëlqyer situatën e menaxhimit të ujësjellës kanalizimeve krahasuar me 3 vite më parë, ndërkohë që shumë shpejt pritet që të lidhet edhe marrëveshja e kredisë me BERZH-in, që do t’i hapë rrugë investimeve të rëndësishme në gjithë rrjetin e ujësjellës kanalizimeve në kryeqytet.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA