Foto LSA

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend është ndërprerë ende pa nisur mirë punimet. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren pas refuzimit të kryeparlamentarit Gramoz Ruçi për t’i lënë fjalën deputetit, Edmond Spaho.

Në kohën kur po diskutoheshin ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike nisi të flasë për ekstradimin e Nazer Seitajt.

Kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi i ndërpreu fjalën, pasi sipas tij, Spaho po i shmangej rendit të ditës. Në këtë moment, deputetët e opozitës lanë ulëset e tyre në sallë dhe iu drejtuan foltores, duke e bllokuar atë. Pas kësaj, Ruçi ndërpreu seancën. Seanca rinisi e tensionuar. Gramoz Ruçi përjashtoi Edmond Spahon dhe kërkoi sërish pushim.

Në rend të ditës këtë të enjte janë disa çështje për të cilat mazhoranca dhe opozita kanë ndasi të thella.

Së pari, në Kuvend do të diskutohet propozimi për ndryshim të ligjit për arsimin parauniversitar në kuadër të nismës “3 lëndë në 6 orë”.

Të mërkurën, në Komisionin e Edukimit opozita akuzoi ministren Nikolla gjatë seancës së dëgjimit se nisma është ndërmarrë pa u konsultuar dhe e nxituar. Anëtarët e PD dhe të LSI-së thanë në këtë Komision se ndryshimet në mes të vitit akademik vendosin në vështirësi mësuesit dhe nxënësit. Ministrja tha se nisma është e një grupi prindërish, mësuesish dhe nxënësish dhe nuk cenon programin mësimor.

Gjithashtu, në seancë do të diskutohet edhe projektligji për negociimin me kompaninë turke “Cengiz Construction” për ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Edhe ky projektligj është qortuar fort nga opozita. Deputetja Jorida Tabaku tha gjatë diskutimeve në Komision se propozimi shkel direktivat e Bashkimit Europian në pikën ku flitet për garancinë që ofron shteti shqiptar për kompaninë private në rast të fitimit të munguar nga operimi i aeroportit.

Një tjetër pikë është edhe kalimi i listës së kandidatëve për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë. Kjo është lista e dytë që dorëzohet në Kuvend, e cila që të miratohet në bllok duhet të sigurojë 94 vota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA