120 familje në nevojë, të prekura kryesisht nga rehabilitimi i lumit Tirana dhe familje të komunitetit romë do të kenë shtëpinë e tyre.
Këshilli Bashkiak do të miratojë sot projektvendimin për dhënien në huamarrje pa pagesë të 120 strukturave të reja banimi për këto familje, duke i dhënë fund një problemi të mprehtë social dhe të mbartur prej vitesh në Bashkinë e Tiranës. Bëhet fjalë për dy projektvendime të posaçme që trajtojnë dy problematika të ndryshme.
Projektvendimi i parë trajton familjet e komunitetit rom në Shkoze dhe që përfitojnë nga zbatimi i projektit “New House – New Life: Rehabilitation of Roma Community Settlement”. Falë këtij projekti në territorin e quajtur si “Ish Kombinati i Autotraktoreve”, Shkozë janë instaluar 60 struktura banimi një katëshe dhe me sipërfaqe afërsisht 35 m2, por e variueshme në përputhshmëri me numrin e anëtarëve të familjeve dhe në përputhje me të gjitha standardet e nevojshme për jetesë të përshtatshme dhe komoditet të veprimtarisë sociale për këto familje.
Ndërsa projektvendimi i dytë trajton një tjetër problematikë të krijuar si rrjedhojë e zbatimit të projektit të rehabilitimit të Lumit Tirana. Edhe me këtë projekt përfitojnë rreth 60 familje të tjera, kryesisht rome dhe egjiptiane dhe që kishin ndërtuar baraket e tyre në këtë zonë dhe që zhvendosja e tyre ishte bërë e domosdoshme për zbatimin e këtij projekti. Në rastin e familjeve të prekura nga projekti i rehabilitimit i Lumit të Tiranës, zgjidhja u gjet me fondet e Bashkisë Tiranë duke ndërtuar godina banimi në territorin e ish-repartit ushtarak nr. 8837, Shkozë, për një komunitet prej 60 familjesh.
Por që këto familje të nënshkruajnë kontratën e huamarrjes s ëkëtyre banesave duhet të marrin përsipër dhe një sërë detyrimesh që kanë të bëjnë me regjistrimin e fëmijëve në gjendjen civile, arsimimin dhe kontrollin mjekësor të tyre.
Top Channel