Shehaj pritet në Departamentin Amerikan të Shtetit: Mblodhëm 100 mijë firma në mbrojtje të drejtësisë, moment historik
Partia Demokratike iu rikhtye çështjes së ekstradimit të Nazes Seitajt. Deputeti Enkelejd Alibeaj tha në një deklaratë për mediat se ai u ekstradua në mënyrë të paligjshme drejt Italisë në momentin që pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë në Shqipëri.
“Nazer Seitaj, financieri i bandës së Saimir Tahirit dhe Habiljave është rrëmbyer nga shteti shqiptar ditën kur pranoi të ishte bashkëpunëtor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të rrëfyer milionat e marra nga Saimir Tahiri si përfitim nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ky është një akt më i rëndë edhe sesa vetë trafiku i drogës nga Saimir Tahiri”, deklaroi Alibeaj.
Partia Demokratike ka vendosur të thërrasë në një interpelancë urgjente Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, për të cilën thotë se është përgjegjëse kryesore për ekstradimin e paligjshëm të Nezar Seitajt.
“Ne jemi të bindur se kjo interpelancë urgjente me Ministren e Drejtësisë do t’i shërbejë zbulimit të mëtejshëm të skemës së Edi Ramës për të mbyllur dosjen e përfshirjes së Saimir Tahirit në trafikun ndërkombëtar të drogës”, vijoi Alibeaj.
Partia Demokratike thotë se disponon provën zyrtare që provon se ministrja e Drejtësisë gënjen, kur deklaron se nuk ka qenë në dijeni se financiari i bandës Tahiri-Habilaj po hetohej në Shqipëri. Sipas ligjit shqiptar, kur një person ka një proçedim penal në Shqipëri, ekstradimin e tij është i ndaluar.
“Në proçesverbalin e arrestimit të financierit të drogës së Tahirit dhe Habiljave, thuhet se Nazer Seitaj u ndalua për llogari të Prokurorisë së Krimeve të Rënda më 19 Tetor 2017, pas aksionit në Babicë të Vlorës, ku u sekuestruan 4 tonë drogë. Ky proçesverbal rrëzon deklaratën e ministres së Drejtësisë se nuk e dintë që për Nazer Seitajn kishte një çështje penale në Shqipëri. Proçesverbali i policisë tregon, gjithashtu, se financieri i bandes Tahiri-Habilaj është arrestuar më 19 dhe jo më 20 tetor, siç deklaron ministri i Brendshëm, i cili vetë është pjesë kyçe e skemës së Ramës për ekstradimin e dëshmitarit të vetëm të arrestuar që mund të tregonte paratë e drogës së Saimir Tahirit”, tha deputeti demokrat.
Top Channel