Zv. kryeministrja Senida Mesi ka zhvilluar takime në bashkinë e Fushë Arrëzit, ku është fokusuar tek reforma në Shërbimet Publike dhe ecurinë e procesit të deregulimit.
Ajo u takua me kreun e bashkisë Fran Tuci, kryetarin e Këshillit Bashkiak, Paulin Luli dhe drejtues të njësive vendore e drejtorive të ndryshme të kësaj bashkie. Mesi është shprehur në lidhje me krijimin e mundësisë së hapjes së një zyre me një ndalesë (one-stop-shop) në Fushë-Arrëz me anë të rrjetit të ADISA (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara), ku banorëve të kësaj bashkie t’u shërbehet konform standardeve për marrjen e lejeve apo çdo dokumentacioni në vendin ku jetojnë dhe duke u kursyer atyre kohë e kosto për marrjen e shërbimeve të ndryshme.
Zv.kryeministrja ka zhvilluar gjithashtu një vizitë pranë shkollës 9-vjeçare “PjetërArbnori”, shkollë e rikonstruktuar në muajin Shtator të viti të kaluar, si rrjedhojë e një investimi të qeverisë shqiptare prej 32 milion lekësh. Mësimdhënia në këtë shkollë tashmë jepet sipas standardeve më të mira në arsim.
Në kuadër të vizitës në Bashkinë Fushë-Arrëz, Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi ka zhvilluar edhe një inspektim në rrugën e fshatit “Fushagji”, rrugë e rëndësishme e cila lidh fshatin me qytetin. Kjo rrugë e rikonstruktuar para një muaji me një investim të qeverisë shqiptare prej 60 milion lekësh, i ka lehtësuar jetesën afërsisht 1500 banorëve të fshatit.
Top Channel