Kthimi i pronave shqiptare, nga heqja e “ligjit të luftës” nuk përfitojnë çamët

31/01/2018 15:07

Athina dhe Tirana kanë akord për heqjen e ligjit të luftës. Rrëzimi i ligjit do të heqë edhe pengesat për rimarrjen e pronave, që shtetasve shqiptarë iu sekuestruan gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Top Channel mëson se marrëveshja nuk do të ketë efekt prapaveprues, që do të thotë se ish-pronarët s’do të mund të marrin dëmshpërblim për pronat, të cilat janë shfrytëzuar prej 78 vitesh nga të tretët.

Dy ministrat Kotzias dhe Bushati kanë rakorduar një formulë ligjore për heqjen e ligjit të luftës, e cila është propozuar më herët nga Presidenca e Republikës së Greqisë.

Sipas burimeve të sigurta në Ministrinë e Jashtme greke, Presidenca greke ka propozuar abrogimin e ligjit të luftës nëpërmjet një dekreti presidencial, fuqia juridike e të cilit njehësohet me dekretin mbretëror “2636” të datës 8 nëntor të vitit 1940.

Ky dekret solli edhe sekuestrimin e të gjitha pronave, që shtetasit e Shqipërisë kishin në territorin grek. Ndërsa për dekretin numër “4560” të vitit 1966, i cili rikonfirmoi dekretin mbretëror të 1940-s, në Athinë do të ndërmerret një nismë ligjore që do të votohet në Parlament.

Top Channel ka mësuar se, me shfuqizimin e këtyre dekreteve hapet menjëherë rruga për kthimin e pronave të sekuestruara nga shteti grek, te pronarët e tyre të para luftës, pra shtetasit shqiptarë të cilëve iu janë sekuestruar.

Përfitues nuk do të jenë shtetasit grekë me origjinë shqiptare, të njohur si çamë, që u dëbuan dhunshëm në fund të Luftës së Dytë Botërore. Pronat e tyre janë konfiskuar me argumentimin si ish-bashkëpunëtorë të fashistëve dhe nazistëve gjatë luftës.

Bëhet fjalë për disa qindra prona fizike, kryesisht shtëpi, dyqane, por edhe toka bujqësore, vlera e të cilave sipas shtetit grek llogaritet në 13 milionë euro me çmimet e sotme.

Përfitues janë edhe pronat e vet shtetit shqiptar. Sipas të dhënave, këto prona ndodhen kryesisht në Athinë, Selanik, Larisa dhe Patra. Këto prona, gjatë viteve që janë sekuestruar prej shtetit grek, janë dhënë në përdorim në formë qiraje shumë të ulët shtetasve grekë.

Në sekuestro nga shteti grek u vendosën edhe qindra kilogramë bizhuteri, gurë të çmuar, ar, vepra arti, bono thesari, të cilat në momentin e sekuestrimit ishin në formë depozitash në bankat greke, për të cilat shtetasit shqiptarë pasardhës të pronarëve të tyre duhet të ndjekin rrugët ligjore, të cilat në raste të ngjashme zgjasin me vite.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA