40 milionë njerëz janë përgatitur të shohin fjalimin e parë të presidentit amerikan Donald Trump mbi gjendjen e kombit, i cili do të mbahet pas pak orësh.
Fjalimi do jetë një mundësi për presidentin për të parashtruar axhendën e tij për 12 muajt e ardhshëm e për të theksuar arritjet e deritanishme.
Vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë tha të hënën se e konsideronte fjalimin si tepër të rëndësishëm. Ekonomia pritet të jetë në qendër të tij, siç paralajmëroi edhe zëdhënësja Sara Sanders.
Pas një viti të parë kaotik në detyrë, Trump me shumë gjasa do të fillojë me gjerat pozitive, si reforma për taksat qe u miratua në Senat në fund të vitit të shkuar.
Shumë ekspertë presin që ai t’i lidhë reformat me ekonominë në rritje të Shteteve të Bashkuara dhe uljen e papunësisë.
Një tjetër çështje e ndjeshme është ajo e reformës mbi emigracionit, me presidentin qe pritet të nxisë një zgjidhje dypartiake. Çështja që ka eklipsuar totalisht vitin e parë në detyrë të Trumpit, bashkëpunimi i mundshëm i Trumpit me Rusinë gjatë fushatës presidenciale, nuk pritet të përmendet sot.
Fjalimi për gjendjen e vendit mbahet në një moment kur mbështetja e votueseve për Trump është në nivelin më të ulët, krahasuar me presidentë të tjerë amerikanë në të njëjtën periudhë të mandatit 4-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. Sipas anketave të zhvilluara kohët e fundit nga firma Gallup, 58 për qind e amerikanëve nuk e mbështesin mënyrën se si ai po e drejton vendin.
Top Channel