Përkundër deklaratave të homologut socialist Bledi Çuçi, bashkëkryetari demokrat i reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi se PD nuk ka folur asnjëherë për votim online.
“Pretendimi i PS se PD është tërhequr nga votimi online është fals”, thotë ai.
Oerd Bylykbashi sqaroi konceptin e votimit elektronik në qendrën e votimit që e mbajën në krye të listës së prioriteteve.
“Zgjedhësi vjen paraqitet, identifikohet biometrikisht aty, voton në qendrën e votimit dhe vota mbetet në makinën, në pajisjen përkatëse. Nuk shkon online në KQZ për t’u manipuluar nga qeveria rrugës. Zgjedhësi do të ketë mundësinë të shohë fletën e votimit që printon makina, që të ketë garanci të plotë për procesin”, deklaron ai.
Lidhur e sistemin zgjedhor, Bylykbashi tha se asnjë sistem nuk do të ishte efikas pa i dhënë përgjigje shit-blerjes së votës përmes krimit dhe korrupsionit. Lajmi i mirë është që, edhe pse jo mediatikisht të dy palët e konfirmuan, se janë në gjendje pune për trajtimin e çështjeve themelore, votimi elektronik, media, financimi, listat e zgjedhësve dhe vota e emrigrantëve. Çdo qëndrim tjetër sipas Bylykbashit do lexohet si përpjekje për bllokim.
“Partia Socialiste ka interes për t’i mbajtur gjërat kështu siç janë me kriminelë dhe të korruptuar që blejnë votat dhe ushtrojnë presion. Partia Socialiste do të jetë e detyruar, ashtu siç u detyrua për dekriminalizimin që të japë konsensusin e saj për të përmirësuar procesin zgjedhor përmes reformës zgjedhore”, vijoi Bylykbashi.
Sipas tij, ky nuk është vetëm presion opozitar, por edhe i BE-së dhe SHBA-së.
Top Channel