PDIU kërkon nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm të informojë shqiptarët për ecurinë e bisedimeve me Greqinë për çështjen çame, duke sjell në vëmendje edhe rezolutën në fuqi që u miratua në 2012.

“Kërkojmë publikisht nga Kryeministri dhe Ministria e Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë – për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20 përqind e popullsisë dhe 80 përqind e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Europë. Kërkojmë nga Ministria jonë e Jashtme që duke kryer detyrim kushtetues për reciprocitet, të na informojnë për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e një permendoreje përkujtimore dhe varrezë për mijëra pleq, gra e fëmijë çamë që nuk u vranë në luftë, por në pragun e shtëpive të tyre”, thuhet në deklaratën e kësaj partie.

PDIU shpreh shqetësimin se nga pala shqiptare gjithçka është konfuze, teksa ministri grek, Kotzias është shprehur se çështja çame nuk është në bisedime.

“Kemi ndjekur me shumë vëmendje takimet për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për Çështjen Çame ka një ligj të Kuvendit të Shqipërisë që në vitin 1994 për njohjen e 27 Qershorit si dita e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë. Parlamenti i Shqipërisë e ka përcaktuar qartë, pa ekuivoke si Genocid atë çka ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë. Po ashtu, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë detyruese për çdo qeveri. Të gjithë forcat kryesore politike e kanë në program zgjidhjen e Çështjes Çame si çështje e të drejtave të njeriut. Madje, theksojmë se forca kryesore në vend kanë propozuar dhe projekt-rezoluta, ku kryeministri do raportonte çdo gjashtë muaj për ecurinë e zgjidhjes së Çështjes Çame. Komisioneri Han një vit më parë inkurajoi në mënyrë të drejtpërdrejtë , zgjidhjen në tryezën e bisedimeve Shqiptaro – Greke të çështjes Çame”, thuhet më tej në deklaratë.

PDIU kërkon gjithashtu të informohet bashkë me ligjin e luftës nëse është biseduar për heqjen e efekteve të tij me një sërë ligjesh pasojë, “kur më i fundit është ai i vitit 1998 për kadastrat greke që pamundësojnë kthimin e pronave të grabitura me forcë. Ne kemi besuar me durim që qeveritë shqiptare dhe forcat politike do të zgjidhnin me seriozitet e detyrim kushtetues Çështjen e bashkëkombasve të tyre çamë”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA