Magazinimi i mbetjeve të uzinës së dikurshme të baterive në ambiente aspak të përshtatshme dhe shumë pranë banesave ka shqetësuar edhe banorët e zonës, të cilët kërkojnë largimin e tyre sa më shpejt.
Kam punuar 35 vite atje. Kam punuar me kinezët. E di që helmet janë helme. Që në atë kohë kinezët e thoshin se një ditë nuk dihet se çfarë do ndodhë”, shprehet një banore e zonës.
Po aq të shqetësuar janë shprehur edhe mjekët. Ata thonë se problemet për banorët do të shfaqen me kalimin e kohës, sa më gjatë këto substance të qëndrojnë pranë banesave.
“Këto mbetje realisht duhet të jenë të izoluara, sepse ato janë në kontakt me agjentë atmosferik dhe ato dëmtojnë organizmin e njeriut, ndikojnë tek indet, dëmtojnë sistemin qendror nervor, sistemin nervor periferik, janë edhe shkaktarë për sëmundje kanceroze”, u shpreh mjeku Fatos Varosi.
Në asnjë institucion shtetëror nuk ekziston një dokumentacion i mbajtur për përmbajtjen e materialeve të depozituara në këtë magazinë dhe asnjë studim për rrezikun që ato sjellin. Nga Ministria e Mbrojtjes kompetencat i kaluan Bashkisë së Gramshit, e cila nuk ka struktura të specializuara për zhvendosjen apo izolimin e tyre.
Top Channel