Sindikatat që përfaqësojnë minatorët kanë qenë të ndara sa u takon propozimeve për statusin e minatorit.
Parlamentit dhe qeverisë i janë paraqitur deri më tani 3 drafte për finalizimin e tij. Kreu i sindikatës së minatorëve të Bulqizës edhe pse ka paraqitur një propozim, thotë se në Kuvend duhet të ishte miratuar projektligji i deputetit të LSI, Përparim Spahiu.
“Njëri ka paraqit të vetin, tjetri të vetin, por po t’i përmbledhësh këto drafte janë të barabartë. Nuk na erdhi aspak mirë që ky projekt status u hodh dhe u rrëzua nga mazhoranca. Statusi i minatorëve duhet të miratohet një orë e më parë”, thotë Luan Nika.
Por për kreun e konfederatës së sindikatave, propozimi i deputetit të LSI ishte antiligjor dhe çështja sipas tij u shfrytëzua politikisht.
“Është antiligjore, për dy faktorë, faktori i mospërcaktimit qartë i faturës financiare dhe faktori tjetër që bie ndesh me ligjin e 2015 për efektin e moshës. Ekziston një ligj i posaçëm për minatorët, i cili i nxjerr në pension në moshën 55 vjeç dhe me një kontribut 10 vjet e 6 muaj”, thotë Kol Nikolla.
Kol Nikolla thotë se propozimi i Konfederatës së Sindikatave, tashmë ka marrë dakordësinë nga ministritë e linjës dhe shprehet optimist se brenda vjeshtës do të miratohet në Parlament.
“Besojmë që brenda muajit shtator do të miratohet. Propozimi aktual e hedh poshtë çështjen e pagës minimale dhe vendoset në status sa dy paga minimale. Tashmë s’do të ketë asnjë minator me miratimin e statusit që të marri pension poshtë dy pagave minimale dhe të rritet sa herë rritet paga minimale”, thotë Nikolla.
Por në Bulqizë kërcënojnë me protesta nëse së shpejti nuk miratohet statusi për minatorët.
“Të reagoje qeveria përndryshe ne si sindikatë do të protestojmë. Jemi të gjithë të angazhuar të gjithë të bashkuar për statusin e minatorit”, thotë Luan Nika.
Top Channel