Votimi elektronik online nuk është më një opsion në tryezën e bisedimeve mes mazhorancës dhe opozitës, për reformën zgjedhore.
Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Posaçëm, Bledi Çuçi thotë për Top Channel se pas konsultimit me ekspertët edhe opozita ka hequr dorë nga kjo kërkesë e saj.
“Përdorimi online i teknologjisë është diçka që tashmë nuk rekomandohet. Po heqin dorë kushdo që e ka tentuar ta fusi një gjë të tillë për shkak të sigurisë kibernetike në botë dhe opozita është vetëdijshme për këtë gjë”, thotë Bledi Çuçi.
Çuçi tregon se me bashkëkryetarin tjetër të Komisionit, demokratin Bylykbashi, është në kontakt të vazhdueshëm, por ndryshimi i sistemit zgjedhor duket se është temë e tryezave të tjera.
“Ai është një diskutim tërësisht politik, në sensin që duhet të ketë një orientim të qartë, sidomos të forcave të mëdha politike në vend, nëse duhet ndryshuar një sistem apo jo, apo një nevojë nga poshtë për të ndryshuar sistemin aktual, gjë që sot nuk e kemi. Kështu që, edhe ne nuk e kemi adresuar si çështje më vete”, sqaron Çuçi.
Ndryshe nga ata që shqetësohen për kohën që kalon, Çuçi mendon se fokusi duhet të jetë te cilësia.
“Mendoj se më shumë shqetësim duhet të ketë që produkti të jetë sa më i plotë, më i saktë, me konsensus dhe vendimmarrja pastaj të jetë sa më e qëndrueshme. Për mua kjo ka më shumë rëndësi. Kohën e kemi”, thota ai.
Bledi Çuçi nuk i druhet klimës politike. Sipas tij aksioni politik i opozitës e ka ngadalësuar pak ritmin e punës së komisionit, por pa e cenuar atë.
Top Channel