Shtyhet sërish mbledhja e Komisionit të Edukimit, për skemën e re të shpërndarjes së orëve mësimore “3 lëndë në 6 orë”.
Pas 1 ore pritje, as ministrja Nikolla, as deputetët e mazhorancës nuk erdhën, ndërsa opozita la sallën me argumentin se Qeveria po e dështon qëllimisht mbledhjen e Komisionit.
Jashtë sallës, Albana Vokshi thotë se pse skema e re që do të nisë zbatimin në 1 shkurt, duhet të shtyhet.
“Është një nismë e pakonsultuar, është një nismë e pamenduar dhe e pabazuar në asnjë model. kërkojmë që kjo nismë të mos fillojë më dt 1 shkurt. a mendoni që mund të arrihet kjo vetëm një ditë përpara zbatimit të kësaj skeme të re? unë i bëj thirrje ministres që ta dëgjojë ftesën e komisionit. ne duhet të gjithë së bashku të hapim një debat dhe të zgjedhim modelin më të mirë për fëmijët tanë”, thotë kryetarja e Komisionit Parlamentar të Edukimit, Albana Vokshi.
Por, teksa të majtët dhe të djathtët nuk po gjejnë dot pak hapësirë kohore për të organizuar seancë dëgjimore me ministren, pak metra më larg, në dy shkola, “Edit Durham” dhe “Emin Duraku” prindërti kanë mendime të ndryshme.
“Ndoshta nxënësi e ka më të kollajshme të bëjë më pak lëndë në një pas një, i thith më shpejt dhe jep më shumë rendiment”, thotë një prind.
“Për lëndët matematika, fizika është në rregull, kurse për lëndët biologjia, historia, gjeografia nuk është mirë se i bie një herë në dy javë, i bie që pas dy javësh mësimi të kapet nga e para . Jam shumë skeptike”, thotë një tjetër.
“Më duket mjaft e dobishme pasi mësuesit do kenë më shumë kohë për tu marrë me nxënësit në mënyrë individuale“, shton një tjetër prind.
“Më duket ngarkesë shumë e madhe për fëmijët, ngarkesë sepse humbet durimi. Fëmijët s’kanë durim, janë të vegjë”, deklaron një tjetër.
Mbledhja për diskutimin e skemës 3 lëndë në 6 orë është shtyrë për ditën e mërkurë, më datë 31 janar, 1 ditë përpara se ajo të nisë zbatimin në të gjitha shkollat.
Top Channel