Kryeministri Edi Rama tha në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, se pavarësisht se opozita ka tjetër agjendë, dhe jo fokusin në procesin e hapjes së negociatave, maxhoranca është e hapur për dialog.
“Fantazitë e ushqyera nga frika e një pjese të spektrit politik dhe propaganda për me demek kapjen e drejtësisë janë dokrra. Janë dokrra se po të ishte ndryshe askush e jo më pastaj BE, apo SHBA, nuk do të lejonin shfaqjen më të vogël të përpjekjes për të kapur drejtësinë. Opozita ka një agjendë që nuk përputhet me fokusin 100% që klasa politike duhet të ketë në këtë proces për të garantuar hapjen e negociatave, ne kemi detyrimin që të vazhdojmë të përpiqemi për të krijuar kushte për dialog me opozitën”, tha Rama.
Ai informoi deputetët e majtë për pjesëmarrjen në forumin e Davosit, dhe takimet e zhvilluar, ku tha se Shqipëria ka shënuar progres, dhe mendimet e zyrtarëve të BE janë për çeljen e negociatave shumë shpejt.
“Dëshiroj tju them se në të gjitha takimet dhe kontaktet e kryera gjatë këtyre tre ditëve intensive ishte krejt e qartë për ne që Shqipëria është një hap afër çeljes së negociatave për anëtarësim me BE-në. Reforma në drejtësi, fillimi i punës për vettingun, dhe mbi të gjitha qartësia se tanimë ky është një proces që nuk ka shans të pengohet apo bllokohet, janë një bazë shumë solide për marrjen e një rekomandimi të pastër nga Komisioni Europian dhe për miratimin nga Këshilli Europian të çeljes së negociatave për anëtarësim. E theksoj që qartësia e krijuar tek të gjithë aktorët e faktorët kyç në raport me çeljen e negociatave lidhur me pamundësinë e bllokimit politik të reformnës në drejtësi, të vetingut, e konsoliduar me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme dhe me vetë procesin e formimit të KLP dhe KLGJ përbëjnë një arsye të fortë për BE për ta parë me optimizëm nga ana jonë fillimin e procesit historik të negociatave. Në momentin që flasim Shqipëria konsiderohet se i ka kryer me përpikmëri detyrat e shtëpisë. Patjetër që nuk ka moment ndalimi dhe i gjithë procesi vazhdon përditë. Progresi është shënuar”, tha Rama.
Top Channel