“Një histori suksesi”

29/01/2018 21:13

“Një histori suksesi”, kështu është cilësuar eksperienca e emigrantëve shqiptarë në Itali gjate konferencës së titulluar “Itinerar shqiptar”, ku ishte i pranishëm Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Në konferencën e organizuar nga shoqata ”Ochio Blu’’ në bashkëpunim me Ambasadën Shqiptare në Romë e ku morën pjesë zyrtarë dhe ekspertë mbi çështjet e emigracionit, Majko e vuri theksin tek shembulli pozitiv që përfaqëson komuniteti shqiptar në Itali.

“Ajo që ka ndodhur me shqiptarët e Italisë mund të konsiderohet një nga eksperiencat më të suksesshme të emigracionit në Europën Lindore”, ishin fjalët e Ministrit, i cili shtoi se arbëreshët dhe emigrantët e rinj kanë kontribuar në krijimin e një lidhje jashtëzakonisht të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë. Ministri e informoi panelin lidhur me hapat e shpejtë që po ndërmerren për ti ofruar një mbështetje edhe më të madhe emigrantëve, si nga pikëpamja institucionale ashtu edhe nga ajo ligjore. Majko foli mbi debatin për të drejtën e votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, çështje kjo, e cila siç tha, gëzon konsensus në politikën shqiptare. Ministri përmendi gjithashtu iniciativat dhe përpjekjet e Ministrisë së Diasporës dhe gjithashtu qeverisë për tu krijuar lehtësira emigrantëve shqiptarë në të gjithë botën. Pjesëmarrësit në konferencë u ndalën tek historitë e suksesshme të shqiptarëve në Itali, si një dëshmi e integrimit të plotë të tyre. Gjate konferencës u diskutua edhe mbi problematikat e komunitetit tonë atje dhe mënyrat e tejkalimit të tyre. “Shqiptarët në Itali, një histori e suksesshme emigracioni” quhej dokumentari i shfaqur në vazhdën e konferencës, i cili tregoi rrugëtimin e diasporës sonë atje.

Më herët gjatë së hënës, Ministri i Shtetit për Diasporën u takua me Drejtoreshën e Përgjithshme të Migracionit dhe Politikave të Integrimit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale në Itali, Tatiana Esposito. Bisedimet u përqendruan tek çështje që prekin komunitetin shqiptar ne Itali.

Majko e informoi Esposito lidhur me strukturat e ngritura nga Ministri i Shtetit dhe qeveria shqiptare, duke kërkuar bashkëpunim të ngushtë me strukturat italiane për zgjidhjen e problematikave për komunitetin tonë atje.

Ministri e vuri theksin tek rëndësia e shkëmbimeve të ideve dhe informacioneve, për të mundësuar një qasje sa më të efektshme ndaj komuniteteve që jetojnë në të dyja vendet.

Esposito u shpreh e disponueshme për t’ju përgjigjur të gjitha pyetjeve që do ti adresohen Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Në takim u diskutua edhe për një projekt të ri mes dy vendeve, që do të ketë në fokus problematikat e komuniteteve shqiptare dhe italiane. Ministri e ftoi Drejtoreshën e Përgjithshme të Migracionit dhe Politikave të Integrimit në një vizitë në Tiranë, siç tha, për të diskutuar më hollësisht mbi temat e prekura në takimin e së hënës. E pranishme në takim ishte edhe Ambasadorja shqiptare në Itali, Anila Bitri.

Të dielën Majko, i shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Vatikan, Majlinda Dodaj dhe Ambasadorja shqiptare në Romë, Anila Bitri, ndoqi meshën e mbajtur në gjuhën shqipe, në kishën e hershme “San Giovanni della Malva”. Mesha e zhvilluar në kishën që u është vënë në dispozicion shqiptarëve të Italisë që prej vitit 2004, gjate papatit të Papa Gjon Pali i II, u drejtua nga Don Pasquale Ferraro, prift arbëresh nga Piana degli Albanesi.

Ne fjalën e tij, Ministri i Shtetit për Diasporën u shpreh i nderuar për praninë në atë që e quajti, shtëpi të shqiptarëve, veçanërisht në një moment të rëndësishëm si përkujtimi i 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Marrëdhënien e shqiptarëve me Vatikanin dhe Kishën Katolike, Majko e cilësoi një testament të heroit tonë kombëtar.

Pas përfundimit të meshës sopranoja e talentuar Ana Lushi performoi këngë të zgjedhura shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA