Në radhë për ilaçe; Referimi elektronik, sistemi që lehtëson pacientët

28/01/2018 16:12

Të sëmurët kronikë në Shqipëri përballen me dy realitete të ndryshme. Në të gjithë vendin pacientëve u duhet të marrin kontakt me mjekun e familjes dhe më pas të mbajnë radhë të gjata te mjekët specialistë.

Kurse në Tiranë, falë një projekti pilot qeveria ka futur referimin elektronik, që redukton ndjeshëm radhët në poliklinikat e specialiteteve. Bruna Kërçyku nga Elbasani dhe Alma Demiraj nga Tirana sjellin dëshmitë e këtyre dy realiteteve.

Vehçide Çala, një e moshuar nga Elbasani vuan nga disa sëmundje njëkohësisht dhe ajo tregon se e ka pothuajse të pamundur të ndjekë të gjitha procedurat për të mbërritur tek mjekimi. Si fillim zonja Çala u paraqit tek mjekja e saj e familjes.

“Unë kam nevojë për mendimin e specialistit. Do të dërgoj në ambulancë do të jap një rekomandim, do të bësh një grafi të artikulacionit dhe një vizitë te reumatologu. Ti vetëm do shkosh në ambulancë me kartën e shëndetit, me rekomandimin që do të jap unë dhe do të më kthesh të gjitha përgjigjet”, i tha mjekja e familjes, Sadete Gjata.

Si fillim zonja Çala do të përbalet me radhën te recepsioni dhe kështu në çdo dere ku ajo duhet të trokasë, sipas kërkesës së mjekes së familjes.

“Nuk eci dot. Bëjnë shumë procedura, zbrit nga kati i tretë në kat të dytë, në kat të parë”, u shpreh ajo.

E ndërsa në rrethe pacientet duhet te heqin peripeci deri sa të marrin mjekimin në Tiranë kjo sorollatje dhe burokraci është zgjidhur.

Manushaqe Kurit vuan nga disa sëmundje ndër të tjera edhe nga reumatizma, por tanimë nuk i duhet më të presë nëpër radhë të gjata për të takuar mjekun specialist.

“Doktoresha më planifikon ditën dhe orën për të takuar mjekun specialist”, tregon Manushaqe Kuri.

Referimi elektronik është një lehtësim edhe për vetë mjeket, të cilët duhej të përshkruajnë në një rekomandim që u jepej dorazi pacientit gjithçka. Por tani mjafton thjesht një kod që i jep pacientit dhe gjithçka përcillet elektronikisht.

Referimi elektronik si fillim ka nisur të bëhet vetëm në Tiranë, por brenda vitit 2018 pritet që të shtrihet në të gjithë rrethet e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA