Autoritetet afgane e shpallën të dielën ditë zie, në homazh të mbi 100 viktimave të shkaktuara në sulmin kamikaz të së shtunës në Kabul.
Agresori hodhi në erë një autoambulancë të mbushur me eksplozivë pranë një postblloku që ndodhej në një rrugë mjaft të frekuentuar e në një lagje të mbushur me godina qeveritare dhe ambasada.
Talebanët morën përsipër autorësinë e sulmit më vdekjeprurës të shënuar në Afganistan prej disa muajsh. Ministri i Shëndetësisë, Waheed Majroh tha se shumica e 191 të plagosurve ishin burra. Agjencia e lajmeve AFP raporton se disa organizata të huaja në vend po rivlerësojnë praninë e tyre në vend.
Qeveria afgane e dënoi sulmin si një krim kundër njerëzimit dhe akuzoi Pakistanin se i kishte ofruar mbështetje talebanëve, të cilët kontrollojnë pjesë të mëdha territori në Afganistan dhe Pakistan. Ky i fundit i mohon pretendimet.
Presidenti amerikan Donald Trump e dënoi sulmin dhe rikonfirmoi mbështetjen për Afganistanin, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres e cilësoi atë një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ligjeve humanitare.
Në Francë, Kulla Eiffel i fiku dritat mesnatën e së shtunës në shenjë respekti për të vdekurit e të plagosurit.
Top Channel