Basha: Lufta jonë vazhdon. Qeveria anti-mafia do të shkëpusë lidhjet e politikës me krimin

28/01/2018 12:31

Lulzim Basha u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në protestën e të shtunës. Sipas tij, bashkimi i qytetarëve kishte një mesazh të qartë për qeverinë.

“Mesazhi i protestës së djeshme është është mesazhi i qartë se shumica dërmuese e shqiptarëve e refuzojnë qeverinë e bandave, qeverinë e krimit, qeverinë e drogës, që janë shkaku i varfërisë, i padrejtësisë, i papunësisë, i çmimeve të larta, i taksave të larta, i rrënimit të shëndetësisë dhe arsimit, i gjendjes ku ndodhen sot studentët dhe pensionistët, të rinj e të reja, të moshuar, intelektualë, të papunë dhe fermerë. Është një mesazh i fuqishëm mbështetje për opozitën dhe kauzën dhe objektivin tonë për një qeveri antimafia e cila do të shkëpusë lidhjet e krimit me pushtetin dhe do të organizojë përmes një reforme zgjedhore zgjedhje të lira dhe të ndershme ku shqiptarët të shprehin vullnetin e tyre të pacenuar nga krimi, nga bandat dhe nga shitblerja e votes”, u shpreh kreu i PD.

Duke e quajtur protestën e 27 janarit, si të paprecedentë në 27 vite, Basha tha se lufta e opozitës kundër qeverisë do të vazhdojë.

“Fitorja e kësaj beteje është një ogur i mirë për luftën e përditshme në të cilën është angazhuar opozita dhe në të cilën jemi bashkë sot këtu me shumicën e shqiptarëve. Ne do ta vazhdojmë këtë luftë ditë për ditë, në të gjitha format dhe mënyrat. Çdo hapësirë institucionale, në rrugë dhe në sheshe, bashkë me qytetarët për të arritur fitoren e kësaj kauze pa të cilën nuk mund të ketë të ardhme, pa të cilën nuk mund të ketë Shqipëri europiane”, u shpreh kreu i PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA