Kryeopozitari rus: Regjimi i Putinit, i ngritur mbi korrupsion

27/01/2018 16:47

Udhëheqësi më i famshëm i opozitës ruse, Alexei Navalny akuzoi regjimin e presidentit Vladimir Putin se është ndërtuar mbi korrupsion, ndërsa i bëri thirrje Kremlinit që të riparojë raportet e vështira me Perëndimin.

Ndërsa Rusia po përgatitet për protestat mbarëkombëtare të së dielës, Navalny, i cili është ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit, tha se Putin ka frikë nga opozita.

Në një intervistë për CNN-in, Navalny deklaroi se në Rusi po rritet padurimi për ndryshim politik.

“Putin është në pushtet prej 18 vitesh. Njerëzit nuk janë gati të presin edhe 6 vite, edhe 6 të tjerë më pas”, deklaroi Navalny.

41-vjeçari tha se mbështetësit e tij do të dalin në rrugë, në më shumë se 100 qytete në të gjithë Rusinë të dielën, në një shfaqje të rrallë mosbindjeje politike, pasi njerëzit e fajësojnë regjimin për hallet e tyre.

“Regjimi Putin është ndërtuar mbi korrupsion. Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 20% e popullsisë jeton në kufirin e varfërisë. Nuk duhet një shkencëtar për ta kuptuar këtë dhe njerëzit e kanë kuptuar. Janë të varfër, sepse ata vjedhin shumë”, vijoi kryeopozitari rus, duke iu referuar elitës sunduese në Rusi.

Kremlini në anën tjetër i ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion, ndërsa kritikon Navalnyn si një njeri me ndikim të rrezikshëm, pasi protestat e organizuara prej tij mund të zhysin vendin në kaos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA