Në sulm për “Nutella”, skena dhune në supermarketet franceze – VIDEO

26/01/2018 08:23

Uljeve nuk i thuhet “Jo”, por skenat e dhunshme në supermarketet franceze, ku blerësit janë vërsulur të blejnë “Nutella” me çmim të tkurrur ndjeshëm kanë bërë xhiron e botës, e kanë detyruar policinë të ndërhyjë kur njerëzit nisën të shtyhen e të rrihen me njëri-tjetrin.

Rrjeti i supermarketeve “Intermarché” ofroi një ulje prej 70% të çmimit të “Nutella”-s, duke e çuar nga 4.5 euro në 1.4 euro kavanozin.

Njerëzit i lanë mënjanë etiketat, kur erdhi fjala për të përfituar nga një rast i tillë.

“U bënë si kafshë”, tha për mediet vendase një konsumator, që kishte asistuar të gjithë skenën.

“Një gruaje i shkulën flokët, një zonjë e moshuar mori një kuti dhe e mbante mbi kokë, një person tjetër e kishte dorën të gjakosur”, shtoi ai.

Punonjësit janë përpjekur të hyjnë mes turmës, por klientët i kanë shtyre duke i larguar. I gjithë stoku u mbarua brenda 15 minutave, në fundin e të cilave, një blerës doli nga marketi me syrin e nxirë.

Incidente të tilla u raportuan dhe në pjesë të tjera të Francës. Rreth 365 milionë kilogramë “Nutella” konsumohen çdo vit në 160 vende të botës. Kremi i famshëm u krijua nga familja Ferrero në vitet 1940 në rajonin e Piemontes, të njohur për lajthitë e tij.

Firma prodhuese shprehu keqardhjen për episodet e dhunës, por vuri në dukje se zbritja ishte vendosur në mënyrë të njëanshme nga “Intermarché”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA