Në Shkup është promovuar këtë të premte libri i autores izraelite, Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi me titull “Jeta ime nën pushtimin nazist”.
Vajza e autores së librit, Ita Bartuv ka lindur në Shkodër në vitin 1943. Siç i pëlqen ta thërrasin ndryshe, Drita Faraxhi, emër që i është dhënë gjatë kohës kur është strehuar në Shqipëri për t’i shpëtuar Holokaustit, kujton për Radio Evropa e Lirë fjalët e nënës së saj.
“Nëna gjatë gjithë kohës më ka përsëritur se ajo ka lindur dhe ka arritur të mbijetojë me familjen falë besës shqiptare”, thotë Ita.
Ajo kujton se e ëma i ka treguar vuajtjet e kalvarit nga Shkupi, përmes Kosovës për të mbërritur në Shkodër, ku janë pajisur me dokumentat shqiptare.
“Besa dhe fuqia e papërshkrueshme mbrojtëse e kësaj fjale. Copëzat e rrëfimeve të prindërve se si shpëtuan familja ime duke më mbajtur mua në krah si foshnje, duke lëvizur nga oborri i një shtëpie në oborrin e shtëpisë tjetër, përmes një dere të vogël që lidh oborret dhe fjalës që thuhej gjatë rrugëtimit: ‘këta i kam marrë dhe po t’i dorëzoj në besë’”, rikujton ajo rrëfimet e së ëmës.
Libri autobiografik “Jeta ime nën pushtimin nazist“, me kujtimet e Mimi Kamhi Ergas-Faraxhi është botuar në tri gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe anglisht nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë.
Top Channel