Hetimi i ndërhyrjes ruse, Trump: Shkarkimi i Mueller? “Fake News”

26/01/2018 08:13

Donald Trump i hodhi poshtë si “fake news” (lajme të rreme) pretendimet e shtypit vendas se kishte urdhëruar shkarkimin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller në muajin qershor, e se ishte zbrapsur vetëm kur avokati i Shtëpisë së Bardhë pati kërcënuar të jepte dorëheqjen.

Sipas “New York Times”, këshilltari juridik Donald McGahn ishte shprehur asokohe se, shkarkimi do të kishte “pasoja katastrofike” mbi Presidencën e Trumpit, duke e shtyrë kështu republikanin të mendohej dy herë.

Mueller, ish-drejtor i FBI-së, u vu në krye të hetimit pasi Trumpi shkarkoi ish-shefin e Byrosë Federale të Hetimit, James Comey. Prokurori kërkon të shohë ndër të tjera edhe nëse me këtë veprim të tijin, presidenti ka penguar drejtësinë.

Trump është aktualisht në Davos të Zvicrës, ku do të mbajë më vonë gjatë ditës një fjalim të pritur me shumë kureshtje nga udhëheqësit e tjerë pjesëmarrës të Forumit Global të Ekonomisë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, sipas “Bloomberg”-ut do të tregojë në resortin e famshëm zviceran të skive se Amerika është e hapur për të bërë biznes, e do të argumentojë se nuk ka pasur ndonjëherë moment më të mirë sesa ky për të investuar në SHBA.

Në fjalën e tij duket se do të zërë vend gjithashtu një apel drejtuar komunitetit ndërkombëtar për ta luftuar bashkërisht terrorizmin dhe për të goditur ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA