Futbolli, shumë shpejt do të jetë pjesë e programit arsimor nëpërmjet programit “Grow”, një projektpilot i UEFA-s me disa federata anëtare të saj, përfshirë këtu edhe atë të vendit tonë.
Rreth 700 shkolla në rang vendi, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe në partneritet me Ministrinë e Arsimit, do të implementojnë në kurrikulën e tyre, që në një ditë të javës, në orën e Edukimit Fizik të zhvillohet ora e futbollit.
Projekti i parë është prezantuar në shkollën 9-vjeçare “Qamil Guranjaku” të qytetit të Elbasanit, nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe zv.ministri Kostandin Shkurti.
“Futbolli në shkolla ka si objektiv implementimin e lojës së futbollit në fëmijët e moshave 7-9 vjeçare. Krijon edhe mundësitë për rritjen e njohurive të fëmijëve për këtë sport të dashur, i cili për mua nuk është vetëm i dashur, por edhe jetik për ata që ëndërrojnë dhe dëshirojnë të bëhen sportistët e së ardhmes”, tha Kostandin Shkurti, zv.ministër i Arsimit dhe Sportit.
Ndërkohë, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit ka theksuar edhe një herë vëmendjen e institucionit që ai drejton në masivizimin e futbollit, duke premtuar vazhdimësinë e kësaj strategjie në saj të projektit “Grow”.
“Federata e Futbollit ka qenë e interesuar dhe ka investuar në fushat e minifutbollit. Deri sot ne kemi ndërtuar 70 minifusha në Shqipëri. Në 4 vitet e ardhshme, pikërisht për këtë projekt kemi planifikuar që do të ndërtojmë 100 minifusha të tjera. Sa më shumë fëmijë pranë futbollit, e kjo jo vetëm djem. Jam shumë i lumtur që këtu, sot, shoh një numër më të madh vajzash”, deklaroi Armand Duka.
Top Channel