Fshati me mbi dy dekada pa ujë! Bashkia e Matit: Projekti gati, por s’ka fonde

26/01/2018 20:48

Fshati Rremull në Burrel prej më shumë se 20-të vitesh vuan nga mungesa e ujit . Banorët e lagjes Samaj e kanë ngritur zërin, por Bashkia e Matit asnjëherë nuk i ka dhënë zgjidhje.

Fiks Fare ka qenë në këtë zonë dhe ka evidentuar këtë problematikë. Tabloja është si në mesjetë, me kuaj dhe gomerë banorët përshkojnë një rrugë të vështirë deri në burimin e fshatit. Në dimër burimi ka më shumë prurje, por në verë situata vështirësohet pasi ka më tepër thatësi.

“Kemi mbi 20 vjet pa ujë. Vijnë kërkojnë votën ja u japim dhe asnjë zgjidhje, nga ky fshat është edhe kryetari i bashkisë i cili asgjë s’ka bërë për këtë komunitet” shpehet një nga banorët. Një tjetër thotë se edhe në kohën e komunizmit nuk vuanin kështu.

“Në kohën e Enverit kishte një rrjet me tubacion i cili e sillte ujin në qendër të lagjes. Ai me ardhjen e demokracisë u shkatërrrua dhe ne tani detyrohemi të vijmë këtu, të kalojmë në këtë rrugë të shkatërruar me gomerë e kuaj e të marrim ujë” thotë ai.

Fiks Fare ju drejtua Njësisë Administrative Rremull. Kreu i saj z.Rasim Hoxha u shpreh se kjo situatë është problem jo vetëm për një lagje, por për tre fshatra. Ai e pohoi realitetin e vështirë në të cilin ndodhen banorët dhe tha se nga Bashkia e Matit është njoftuar se ka një projekt për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare këtij problemi.

“Jam në dijeni të situatës, banorët vërtet kanë hall dhe ky problem është për tre fshatra. Jam njoftuar nga Bashkia Mat që ka një project, por duhet të miratohet nga qeveria dhe të gjenden fonde” përfundoi z.Hoxha.

Fiks Fare ju drejtua Bashkisë së Matit, Sekretari i Përgjithshëm, Pajtim Molla që tha se Fondi Rajonal i Zhvillimit ka bërë një projekt, i cili kap vlerën 3 milionë euro. Projekti ka dalë në listë i 25 për financim dhe pritet që të financohet në vitet e ardhshme.

Megjithatë i pyetur nga Fiks Fare se në pritje të tij a ka bashkia një plan të përkohëshëm , ai premtoi se bashkia do të ndërhyjë për të lidhur çezmën e fshatit me burimin, duke vendosur një tubacion provizor. Kjo pasi bashkia vetë nuk ka fonde ta financoj, të ardhurat e saj kapin shifrën 1.2 milion euro në vit. Të ardhura që shkojnë për rroga dhe investime të vogla pohoi Molla.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA