Reforma kombëtare për ujin dhe prerjet e lidhjeve të paligjshme i ka dërguar specialistët e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës në zonat periferike për disiplinimin e situatës.
Këtë të premte, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i UKT-së, Redi Molla, kanë ndjekur nga afër verifikimet në zonën e Paskuqanit, ku është bërë ndërprerja e lidhjeve të paligjshme nga tubacioni kryesor që furnizon me ujë të pijshëm rreth 30% të qytetit të Tiranës.
“Këtu jemi në një linjë të veçantë, ajo që njihet si linja 1200, që furnizon të gjithë qytetin. Ndaj shprehim vendosmërinë e Ujësjellësit, por edhe të Bashkisë së Tiranës, për ta vijuar në mënyrë të vijueshme këtë aksion dhe për të verifikuar të gjitha linjat e për t’i ndërprerë lidhjet e paligjshme”, theksoi Mazniku.
Sipas tij, ndërhyrjet e paligjshme sjellin jo vetëm dëme të konsiderueshme në rrjetin e furnizimit me ujë të qytetit të Tiranës, por njëkohësisht mund të shkaktojnë probleme edhe për ata që kanë ndërhyrë në rrjet në mënyrë të paligjshme.
Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga 31 janari, Mazniku u bën thirrje qytetarëve që nuk kanë formalizuar ende lidhjet e tyre, të paraqiten pranë pikave të Kujdesit ndaj Klientit, ndërsa nga 1 shkurti, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për të vënë para përgjegjësisë të gjithë ata që abuzojnë me një pasuri publike si uji i pijshëm.
“Ftojmë qytetarët që deri në datën 31 janar të vetëdeklarojnë linja të tilla, në mënyrë që të kemi mundësi t’i riparojmë ato, sepse duke filluar nga data 1 shkurt, identifikimi i këtyre linjave dhe prerja e tyre do të ketë edhe penalitete shumë të forta gjatë të gjithë kundërvajtësve”, tha më tej Mazniku.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës për të raportuar për çdo problematikë apo rast të abuzimit me ujin e pijshëm.
Për shkak të fluksit të shtuar të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar që të aplikojnë për kontratë të re me Ujësjellësin e Tiranës, si dhe konsumatorët që janë të interesuar të kryejnë pagesa apo të përfitojnë nga skema lehtësuese e shlyerjes së debisë, shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë ka vendosur orare të reja shërbimi në të gjitha njësitë zonalë, pikat UKT, si dhe në arkat kryesore të qytetit. Sportelet do të jenë të hapura nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00, nga e hëna në të shtunë.
Top Channel