Donald Trump u shpreh i gatshëm të intervistohet nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller, që po heton ndërhyrjen e supozuar ruse në presidencialet e vitit 2016.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë thotë se do t’i përgjigjet nën betim pyetjeve, të cilat nuk do të lidhen vetëm me rusët, por edhe me mundësinë që republikani të ketë penguar drejtësinë përmes shkarkimit të drejtorit të FBI-së, James Comey.
“E pres me kënaqësi intervistën”, ishte përgjigjja e Trumpit kur u pyet nga gazetarët se, cili është reagimi i tij ndaj idesë së një përballjeje me Muellerin.
Për sa i përket kohës se kur mund të ndodhë kjo, ai sqaroi se mund të jetë brenda dy apo 3 javëve të ardhshme.
Ashtu siç ka pohuar më parë, presidenti theksoi se “nuk ka pasur asnjë bashkëpunim” me rusët dhe absolutisht “asnjë pengim të drejtësisë”.
Pistat e plota të hetimeve të prokurorit të posaçëm, që përfshijnë qindra mijëra dokumente dhe dhjetëra intervista me dëshmitarë, nuk janë të njohura për publikun. Por, tani që ekipi i tij pothuajse i ka përfunduar intervistat me zyrtarë aktuale dhe ish-zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, ka shprehur interes për të folur edhe me vet shefin e administratës amerikane.
Nga kjo rezulton se, fokusi i hetimeve duket të jenë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë pas betimit të presidentit, duke përfshirë këtu largimin e Comeyt dhe diskutimet që paraprinë shkarkimin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.
Koha dhe vendi i intervistës me presidentin nuk janë vendosur ende. Por kur ajo të zhvillohet, Trumpit do t’i duhet të shpjegojë se në çfarë mënyre, veprimet e tij nuk përbëjnë pengim të drejtësisë.
Top Channel