Në harkun e pak javëve, Interi u detyrua të pranonte se mbetet ende punë për të synuar titullin kampion në futbollin italian, e se objektivi real i këtij sezoni mbetet një vend në Champions League.
Zikaltrit kanë çaluar në rezultatet e kohëve të fundit dhe për të besuarit e trajnerit Spalletti, 4 javët në vazhdim do të jenë dhe momenti i së vërtetës.
Në 5 ndeshje, Interi do të ketë përballje relativisht të lehta, me skuadra të kalueshme dhe që nuk ndeshen njësoj në ambiciet sezonale. Spal, Crotone, Bologna, Genoa e Benevento janë kundërshtarë mesatarë dhe pikërisht me këto 15 pikë në lojë, Icardi dhe lojtarët e tjerë nuk duhet të gabojnë, nëse duan elitën e futbollit kontinental. Një vend që rrezikohet nga Lacio dhe Roma.
Interi synon që të përfitojë drejtpërdrejt edhe nga hapat e mundshëm fals të skuadrave të kryeqytetit italian. Lacio po bën një sezon të jashtëzakonshëm, por në përballjet që i rezervon kalendari i Serie A do të ketë me radhë rivalë si Milan, Genoa, Napoli, Verona e Sassuolo. Praktikisht bardhekaltrit i quajnë që tani disa pikë të humbura.
Diskutim i njëjtë edhe për Romën, që do të ketë në rrugën e saj Sampdorian, Veronën, Beneventon, Udinesen e Milanin. Sigurisht që verdhekuqtë kanë kundërshtarë më pak të komplikuar sesa Lacio, por që fshehin gjithsesi enigma për rezultatin në fushë.
Në kontrast me Interin, Lacio e Roma duhet gjithashtu të bëjnë llogaritë me impenjimet europiane dhe rotacionin, me dy skuadra që stolin nuk e kanë pikë të fortë.
Top Channel