Iku Sanchez, Arsenali nën presion për të mbajtur Ozil

25/01/2018 17:46

Pasi u detyrua të firmoste largimin e Alexis Sanchez në një rival të drejtpërdrejtë në Premier League, Arsenali po përballet me opsionin real për të humbur brenda qershorit edhe futbollistin më të preferuar të tifozëve.

Largimi i kilianit ishte një tronditje për mbështetësit londinezë, por nëse të njëjtin fat do të ketë edhe Mesut Ozil, presioni rreth trajnerit dhe drejtuesve do të arrijë kulmin ndoshta më të lartë prej 3 dekadash.

Arsenali nuk kishte asnjë mundësi tjetër veç shitjes së Sanchezit, pasi mund ta humbiste falas në fund të sezonit, nëse nuk do ta transferonte tek United.

Situata rreth Mesut Ozil është e ndryshme, pasi turko-gjermani nuk ka kërkuar publikisht largimin, është popullor mes tifozëve, efikas në fushë dhe në harmoni me ekipin. Mjafton të kujtohet se golat e Alexis Sanchez i festonte vetëm gjysma e skuadrës, për të kuptuar sesi Ozil me asiste dhe rrjeta bën të festojë i madh e i vogël në “Emirates Stadium”.

Klubi anglez ka lançuar një tratativë finale për të mbajtur arkitektin e lojës sulmuese, duke i ofruar 250 mijë paund në javë. Botërori i kësaj vere do të ndryshojë kuotat e Mesut Ozil, pasi nëse shkëlqen me kombëtaren, interesi rreth tij do të shtohet.

Mbetet gjithsesi një lojë “pokeri” mes agjentëve të turko-gjermanit dhe aksionerëve të Arsenalit. Nuk dihet se kush do të zbulojë letrat i pari, futbollisti që kërkon 300 mijë paund në javë, apo Arsenali që vuan edhe presionin për ta humbur falas, nëse nuk do të kënaqë agjentin me bonuse, futbollistin me kontratën e re dhe tifozët me qëndrimin e “beniaminit” të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA