Një ditë pasi Top Channel njoftoi se Qeveria po bëhej gati të kalonte me ngut ligjin për kontratën e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, Këshilli i Ministrave e miratoi atë.
Në mbledhjen e sotme, Qeveria aprovoi projektligjin për nisjen e negociatave për këtë kontratë. Top Channel mësoi se tre kompanitë turke do të investojnë rreth 100 milionë euro për të ndërtuar aeroportin. Në këmbim ato do të kenë të drejtën e operimit të tij për një periudhë disavjeçare, e cila do të përcaktohet gjatë negociatave.
Por edhe pse do të paguajnë paratë e ndërtimit, riskun e biznesit nuk do ta kenë kompanitë private, por buxheti i shtetit. Top Channel ka mësuar se qeveria do i garantojë konsoricumit privat, një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni të ngjashme me atë të mirëmbajtjes së rrugës durrës kukës.
Nëse kjo e ardhur nuk arrihet nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria i paguan kompanive private diferencën nga buxheti i shtetit.
Top Channel