Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e arrestit me burg për 11 biznesmenë, të dyshuar si të përfshirë në një skemë mashtrimi me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Masa ndaj 11 biznesmenëve është marrë pas kërkesës së Prokurorit Ndini Tavani.
Gjashtë nga 11 biznesmenët ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg, kanë përfunduar në prangat e policisë. Ata janë: Ruzhdi Murataj 60 vjeç, Indrit Sulaj 30 vjeç, Novruz Lami 36 vjeç, Dhimitraq Çelo 23 vjeç, Shkëlqim Hasani 50 vjeç dhe Bujar Murataj 31 vjeç.
Ndërkohë, vazhdon puna për ndalimin e pesë të tjerëve, që për shkaqe hetimore u publikohen vetëm inicialet. Ata janë B.Gj., A.B., E.Sh., S.K., dhe M.M.
Emrat e këtij grupi biznesmenësh kanë dalë nga operacioni i koduar “Situacioni”, ndërmarrë nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Sipas provave të mbledhura nga ky hetim, rezulton se shtetasit e mësipërm kanë regjistruar subjekte tregtare në mënyrë fiktive, pas asnjëlloj aktiviteti me qëllim tërheqjen e blloqeve të TVSH, duke lëshuar fatura për subjekte të treta, që më pas rimbursoheshin.
Dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë krijuar një skemë mashtrimi me TVSH-në, ku janë përfshirë një numër i madh subjektesh.
Ky grup biznesmenësh, sipas Prokurorisë, kanë ndërtuar një skemë mashtrimi që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 9 milionë dollarë.
Top Channel