Ministri pa portofol Pandeli Majko, që merret me çështjet e diasporës, i ka bërë thirrje sot përvojave të migracionit të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për të gjetur dakordësine e tyre për votën e emigrantëve.
Në tryezën e parë të rrumbullakët dedikuar votimit të shqiptarëve jashtë vendit, opozita nuk ishte prezente. Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, është i vetëdijshëm se asgjë nuk mund të bëhet pa dakortësinë politike, ndaj iu drejtua krerëve të dy partive më të mëdha jo vetëm si politikanë.
“Dy kryetarët e partive të medha vijnë me përvoja migracioni dhe shpresoj do gjejnë një kompromis. Shpresoj të mos ketë frikë nga kompromisi”, tha ministri Majko.
Numri dy prezencës së OSBE-së në Tiranë vuri në dukje se komisionit të reformës zgjedhore i ka kaluar tashmë gjysma e mandatit, ndërsa kërkoi të mos humbej kohë.
“Tash është koha. Regjistrimi i votuesve jashtë, ndikon listat dhe këto duhen menaxhuar me procedurë të qartë dhe të besueshme”, tha Robert Wilton.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj vuri theksin te sistemi i adresave, duke nënvizuar se koha që kalon e bën gjithnjë e më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje të pranueshme nga të gjithë.
Top Channel