Tashmë është zyrtare, Sanchez është futbollisi i ri i Manchester United, ndërsa Henrik Mkhitaryan i Arsenalit.
Të dy klubet u kanë uruar mirëseardhjen lojtarëve, sigurisht sipas mënyrës së tyre. Si Sanchez ashtu edhe Mkhitaryan kanë thënë fjalët e tyre të para për klubet respektive përpara se të bëjnë prezantimin zyrtar para medias dhe deklaratat e tyre nuk kanë ndryshuar nga ato që kemi dëgjuar më parë nga lojtarë të tjerë të kalibrit Ibrahimovic.
“Që kur isha fëmijë, ëndërroja të luaja me Manchester United – tha Sanchez – nuk e them këtë se tani jam pjesë e kësaj skuadre. Gjithnjë kam thënë se do të më pëlqente të luaja në ‘Old Trafford’ nën urdhrat e Sir Alex Ferguson”.
Pothuajse i njëjti refren u dëgjua edhe nga Mkhitaryan për ‘Topcinjtë’ e Londrës. “Jam shumë i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje – tha Mkhitaryan – jam shumë i lumtur që ndodhem këtu. Të luaj me Arsenalin është një ëndërr e bërë realitet. Do të jap maksimumin për të bërë historinë në këtë klub”.
Alexis Sanchez që firmosi me Manchester United një kontratë për 4 vjet e gjysmë dhe do të mbajë fanelën me nr.7, numër të cilin dikur e kanë mbajtur, Best, Cantona, Beckham e Cristiano Ronaldo.
Top Channel