Të mërkurën 33 efektivë të policisë së shtetit me gradën “drejtues” do të konkurojnë për të marrë gradën “drejtues i parë”.
Burime të Top Channel konfirmojnë se numri i aplikantëve ka qenë 35 por 2 prej tyre janë skualifikuar pasi rezultonin me masa disiplinore në fuqi.
33 funksionarët e uniformave blu do të garojnë për 5 pozicione vakante me gradën “drejtues i parë ”, në hirarkinë e policisë së shtetit. Në listën e efektivëve që do të garojnë janë të gjithë drejtorët aktualë të qarqeve me gradën drejtues, përfshirë edhe drejtorin e policisë së Tiranës Ardi Veliu, emri i të cilit lakohet fort si pasardhësi i Haki Çakos.
Grada “ Drejtues i parë” është një nga kriteret për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Prej 8 janarit, Policia po drejtohet nga i caktuari në detyrë Rebani Jaupi, i cili gëzon të gjitha atributet e drejtorit të përgjithshëm. Po ashtu, burime nga policia bëjnë me dije se pas zgjedhjes së kryepolicit që do të propozohet nga ministri Fatmir Xhafaj me aprovim të Këshillit të Ministrave, do të ketë lëvizje edhe në kupolën drejtuese dhe drejtoritë e qarqeve.
Top Channel