Mario Balotelli do të bashkohet me Juventusin. Lajmi i bujshëm është publikuar nga tabloidi britanik ‘the Sun’, sipas të cilit qendërsulmuesi i Nice ka arritur një akord me bardhezinjtë për transferimin në Torino sezonin e ardhshëm.
Gjithnjë sipas këtij tabloidi, ‘Zonja e Vjetër’ tashmë e ka përgatitur kontratën 5 vjeçare për sulmuesin 27 vjeçar, i cili do të largohet nga klubi francez me parametra zero. Sipas ‘The Sun’, meritën për mbylljen me sukses të këtij operacioni e ka pikërisht agjenti i Balotellit, Mino Raiola, që ka raporte shumë të mira me drejtuesit e Juventusit.
Balotelli te Nice ka rilindur, ndërsa Juventusi duket se do të jetë shansi i fundit për të për të bërë shpërthimin e shumëpritur në karrierën e tij dhe që mund ta ndihmojë të kthehet në Kombëtaren Italiane.
Nëse ajo që publikon ‘The Sun’ do të rezultojë e vërtetë, Balotelli do të bëhet futbollisti i 12 në historinë e futbollit italian që vesh fanelën e Interit, Milanit e Juventusit. Më parë këtë e kanë për emra të tillë si Giuseppe Meazza, Aldo Serena, Roberto Baggio, Edgar Davids, Ibrahimovic apo Andrea Pirlo.
Top Channel