Forcat turke kanë marrë disa fshatra në veriperëndimin të Sirisë, gjatë ditës së tretë të ofensivës kundër luftëtarëve kurdë, që shton sipas medieve të huaja rrezikun e hapjes së një fronti të ri lufte në vendin e munduar nga konflikti, e kërcënon t’i japë përpos kësaj Shtetit Islamik një hapësirë të re frymëmarrjeje, pas goditjeve të forta që ka marrë këtë vit.
Ankaraja e ka paralajmëruar me kohë se nuk do ta tolerojë kontrollin e një pjese të kufirit të saj me Sirinë nga luftëtarët kurdë, të cilët i konsideron terroristë, edhe pse Shtetet e Bashkuara i kanë mbështetur ata me forcë në betejën kundër ekstremistëve të ISIS-it.
Trupat turke tani, të shoqëruara edhe nga rebelë sirianë aleate të tyre, kanë marrë disa zona në rajonin e Afrinit. Kurdët, megjithatë, pretendojnë se në dy prej fshatrave i kanë zbrapsur ushtarët e Ankarasë.
Njësitë kurde të mbrojtjes “YPG”, të cilat veprojnë në veriun e Sirisë, qeveria turke i sheh si zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, e cila ka luftuar për tri dekada në mbështetje të autonomisë së kurdëve nga Turqia.
“YPG”-të mohojnë të ketë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë mes tyre, por Ankaraja nuk bindet. Ajo e ka dënuar ashpër edhe përkrahjen që Uashingtoni u ka dhënë luftëtarëve kurdë, e zhvillimi i fundit e vendos qartazi në kurs përplasjeje me aleatin e vet të NATO-s.
Top Channel