“Rreth orës 11 .30 minuta e lashë tim shoq dhe vjehrrën duke parë televizor dhe kalova në dhomën tjetër për të fjetur. Nuk kam dëgjuar asgjë. Ndoshta nga ora 4 e mëngjesit më zgjoi një si zhurmë, pashë tym e flakë dhe thirra menjëherë komshinjtë për ndihmë”.
Ky është rrëfimi i Hysnie Hoxhallarit, bashkëshortja e Olsit, i cili u gjet i masakruar së bashku me të ëmën Salkien, ndërsa skenës së krimit i ishte vendosur flaka për të zhdukur gjurmët. Grupi i hetimit ka një dyshim për dinamikën e masakrës në familjen korçare e cila prej vitesh kishte ndërtuar jetën në Vlorë.
Dyshimi kryesor i hetuesve është se masakra nuk ka ndodhur për grabitje përderisa gjatë kqyrjes është konfirmuar se në të njëjtën dhomë ku u vranë nënë e bir, hajdutët nuk e kanë vjedhur shumën prej 3 mijë eurosh .
Hetuesit thonë se Olsi Hoxhallari kishte ardhur për festat e fundvitit nga Greqia ku edhe ishte emigrant dhe pritej që të largohej sërish, ndërkohë që nusja e tij Hysnia jetonte sipas hetuesve bashkë me vjehrrën, Salkien.
Dyshimi kryesor i prokurorisë është se vrasësi apo vrasësit jetojnë në lagjen ku ndodhi krimi dhe ky është shkaku që janë pyetur gjatë shoqërimeve në komisariat disa persona. Në listen e të pyeturve në polici ishte edhe Aferdita Hoxhallari së bashku me vajzat.
Gruaja është nusja e djalit të 73-vjeçares së vrarë. Ish bashkëshorti i saj gjendet në burg për vjedhje ndërkohë që Afërdita nuk fliste prej kohësh me të ndjerët.
Në ceremoninë mortore të Olsit dhe të ëmës morën pjesë edhe banore të Vlorës që u trondit nga një krim i cili nuk ka ende autor.
Top Channel