Eshtë përcjellë sot për në banesën e fundit studentja Ariela Murati, që u qëllua me pistoletë një ditë më parë në Tiranë nga një i ri, që dyshohet se kërkonte të lidhej me të. Dhimbja është e thellë edhe në fakultetin e drejtësisë ku Ariela studionte. Kurse autori i vrajes, që qëlloi më pas edhe veten, ndodhet në spital në koma.
Mes lotësh dhe dhimbjes së thellë të familjes, të afërmve dhe miqve është përcjellë për në banesën e fundit Ariela Murati, 21-vjeçarja e cila u vra pasditen e së dielës në mes të rruges, nga 23-vjeçari Aldison Belulaj.
Familjaret e kanë të pamundur të prononcohen, ndërsa Drejtoresha e gjimnazit “Sotir Capo” ku Ariela ka studiuar shprehet e tronditur.
Në Zharrëz kanë mbërritur edhe shokët e grupit të Fakultetin të Drejtësisë në Tiranë, kur Ariela studionte. Salla 307 e Fakultetit është bosh. Ndërkohë që studentë të tjerë kanë krijuar një kënd përkujtimi për të, në fakultet. Në shkollë pedagogët e njihnin për student të qetë:
“Studente e qetë, njeri i dashur, pozitiv që kërkonte të arrinte shumë dhe pse jo aspironte të vinte të bëhej kolege.Në një nga postimet e veta në rrjetet sociale shkruante diku, se” Nuk i vrasin armët njerëzit,i vrasin vetë njerëzit”. Duket sikur këtë fatkeqesi që i erdhi, e kishte parashikuar. Jo vetëm unë po çdo koleg padiskutim që ndjen keqardhje”, thotë Erlis Hereni, pedagog Fakulteti Drejtesise
“U ndjeva keq, nuk ishte ndonjë arsye e madhe për t’i marrë jetën një personi. Ai nuk konsiderohet njeri”, thotë një student.
“Sinqerisht na erdhi keq, pavarësisht se nuk e njihja po ndodheshe në fakultetin tonë”, rrëfen një tjetër.
“Na shokoi, sepse një ngjarje e tillë nuk është e thjeshtë sidomos për ne që vijmë përditë këtu”, thotë një tjetër studente.
“Ishte vajze ekselente, kishte të ardhme përpara. Më erdhi shumë keq”, shprehet një tjetër studente.
Ndërkohë në spitalin e Traumës ku ndodhet i shtruar në reanimacion në gjendje të rëndë shëndetësore, autori Aldison Belulaj ruhet nga forcat e policisë. Uniformat blu i druhen një hakmarrje të mundshme nga familjarët e vajzës. Mjekët nuk japin garanci për jetën e 23-vjeçari i cili është në gjendje kome të thellë.
Top Channel