KLGj e KLP, asnjë kandidat nuk siguron 4 vota në Komision, caktohen me short

22/01/2018 18:59

N/komisioni ad hoc për përzgjedhjen e kandidatëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nuk arriti të zgjedhë me shumicë të cilësuar votash kandidatët që do t’i dërgohen seancës plenare.

Asnjë prej kandidatëve nuk arriti të merrte preferencën e 4 prej 5 anëtarëve të n/komisionit. Në zbatim të ligjit, përzgjedhja u bë me short si më poshtë:

Për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit u përzgjodhën:
– Nga radhët e Avokatisë: Arben Vani, Sokol Lamaj
– Nga radhët e pedagogëve: Erion Muharremaj, Ilir Panda
– Nga radhët e shoqërisë civile: Altin Hazizaj

Ndërsa për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, shorti përzgjodhi:
– Nga radhet e Avokatisë: Kozma Jano, Floreta Gjini
– Nga radhët e pedagogeve: Eneida Sema, Mirela Bogdani
– Nga radhët e shoqërisë civile: Alfred Balla

Lista me kandidatët për KLGJ dhe ajo me kandidatët për KLP duhet të miratohet në seancë me 2/3 e votave brenda 10 ditësh, pra duhet të marrin 93 vota pro.

Opozita kontestoi procesin, pasi u përfshinë në listën për votim edhe kandidatë të skualifikuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD: Kur na duhet ne, ONM është më e fortë se Kushtetuta, kurse kur sjell atë që ka kompetencë me Kushtetutë ju thoni jo!

Ulsi Manja, kryetar i Komisionit të Ligjeve: Nëse nuk ka dakordësi në këtë nënkomision, ku sigurisht reflektohen qëndrimet politike të palëve në këtë proces, vetë Kushtetuta dhe ligji kanë përcaktuar si mekanizëm zhbllokuar shortin.

Nëse Kuvendi nuk do të gjejë konsensusin procedura rikthehet në Komision. Dështimi për herë të tretë në Parlament bën që lista e tretë e nënkomisionit të jetë automatikisht në fuqi.

Por, kjo nuk do të çojë ende në ngritjen e dy institucioneve të reja të drejtësisë, përsa kohë kandidatët nga gjyqësori dhe prokuroria nuk kanë kaluar ende vetingun.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA