Pasojat e luftës ndihen edhe në mjedis, paralajmërimi i OKB: Në Iran po çlirohen substanca shumë toksike Senati amerikan do të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme në përpjekje për t’i dhënë fund bllokimit të buxhetit përpara fillimit të javës së punës, kur mbyllja e shumë shërbimeve federale do të ndihet në mbarë vendin.
Qindra mijëra punonjës federalë përballen me mundësinë e pushimit të papaguar. Të shtunën, të dyja palët shkëmbyen akuza të ashpra lidhur me dështimin e Dhomës së Lartë të Kongresit për të kaluar buxhetin e ri dhe parandaluar mbylljen e qeverisë federale.
Projektiligji mbi financimin e saj për javët e ardhshme nuk mori dot 60 votat e kërkuara deri të premten. Tani, udhëheqësi republikan i Senatit amerikan, Mitch McConnell thotë se do të votohet mëngjesin e së hënës, në 01:00 sipas orës lokale, me shpresën se këtë herë nisma legjislative mbi financimin e qeverise deri më 8 shkurt do të arrijë ta marrë “dritën jeshile”.
Ligjvënësit amerikanë vazhdojnë të kenë kundërshti mbi një sërë çështjesh, duke nisur nga shpenzimet për mbrojtjen, e deri tek emigracioni, pjesë e të cilit është edhe fati i 800 mijë personave pa dokumente të dërguar në Shtetet e Bashkuara që fëmijë.
Udhëheqësi i pakicës, senatori demokrat Chuck Schumer e akuzoi presidentin Donald Trump për hedhjen poshtë të programit “DACA”, si dhe për shpenzimet e mëdha qeveritare. Ai u shpreh se kishte pranuar të diskutohej në këmbim çështja e murit, për të cilën shumë demokratë nuk duan të dëgjojnë të flitet, por sipas Schumerit, as kjo nuk mjaftoi për ta bërë presidentin të arrinte një ujdi.
Trump, nga ana e tij i akuzoi demokratët se janë më të shqetësuar për emigrantët e paligjshëm, sesa për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara apo sigurinë e kufirit jugor të vendit. Mbyllja e fundit e qeverisë amerikane ishte në vitin 2013, e zgjati 16 ditë.
Top Channel