Plot 6 ditë përpara protestës së opozitës, tregtarë të mishit në Pogradec i treguan kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sesi vendimi i qeverisë për mbylljen dhe përqëndrimin e thertoreve në pak pika ka rritur çmimin e mishit, duke ndikuar në uljen e fitimit dhe rritjen e kostos për qytetarët.

Tregtarët folën gjithashtu për rënie të punës, mbylljen e bizneseve dhe shprehën kundërshtimin e tyre për vendosjen e TVSH-së për biznesin e vogël.

Me kryetarin Basha, qytetarët ndanë shqetësimin e papunësisë së lartë, veçanërisht mes të rinjve, për të cilët alternativë e vetme është punësimi sezonal në Greqi. Kryetari Basha i ftoi të rinjtë të bëhen pjesë e protestës së 27 janarit.

Në takimin me demokratët e Pogradecit, në 27-vjetorin e themelimit të Degës së Partisë Demokratike, Basha tha se pas gati 3 dekadash, diktatura ideologjike është zëvendësuar me diktaturën e krimit të organizuar.

Kreu i opozitës tha se qeveria aktuale nuk është mazhoranca reale, por krahu politik i përfaqësuesve të klaneve të krimit dhe drogës, Shullazit, Xhafajve, Habilajve, Balilajve. Basha shpjegoi se, për shkak të aleancës së qeverisë me krimin, Edi Rama nuk jep llogari para qytetarëve dhe punon kundër interesit të tyre.

“Do të blejë 400 milionë makina luksi për veten e tij. Ka harxhuar 300 milionë euro për zyra, për udhëtime luksi dhe nuk gjen parà për të blerë ilaçet për të sëmurët, nuk gjen parà për të rritur pensionet, siç ka premtuar, 100 mijë lekë çdo vit”, tha ndër të tjera Basha.

Kreu i opozitës u shpreh se protesta e 27 janarit është një mundësi për qytetarët për të ngritur zërin kundër padrejtësive, për të ndryshuar gjendjen e tyre, përmes ndryshimit të qeverisjes së vendit dhe për të hapur një rrugë të re për Shqipërinë.

“Nëse je i papunë dhe po mendon të largohesh, mos u largo! Eja me ne në sheshin e protestës! Nëse je i ri dhe nuk gjen dot punë, mos e ul kokën, por bashkohu me ne në sheshin e protestës! Ta nisim ndryshimin e madh ditën e shtunë, më 27 janar, për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa!”, u shpreh Basha.

Lulzim Basha shprehu bindjen se një qeveri që punon për qytetarët, e jo për një grusht njerëzish afër kryeministrit, ka mundësitë të lehtësojë të pamundurit nga faturat e ujit dhe e dritave, të ulë çmimin e naftës, të ulë taksat dhe të investojë për hapjen e vendeve të reja të punës.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA