Demostrata e 21 Janarit, si e trajtoi politika dhe çfarë ndodhi me aktorët kryesorë?

21/01/2018 19:46

Gjatë kohës që ishte në opozitë, Partia Socialiste e quajti vrasjen e protestuesve një krim shtetëror, duke akuzuar drejtpërdrejtë ish-Kryeministrin Sali Berisha. Kurse Sali Berisha ka akuzuar gjithmonë Edi Ramën, si shkaktarin e dhunës. Por si ndodhi 21 Janari dhe cilat ishin pasojat për politikën shqiptare?

Demostrata e 21 janarit u thirr pas publikimit të një videoje nga emisioni investigativ Fiks Fare, që hodhi dyshime të forta për akte korruptive të zv/kryeministrit Ilir Meta me ministrin e Energjitikës, të ndjerin Dritan Prifti. Më vonë Gjykata e Lartë i dha pafajësinë Ilir Metës, por asokohe opozita e shfrytëzoi videon për të akuzuar Qeverinë.

Opozita foli për skenar tunizian. Në Tunizi Presidenti Ben Ali ishte larguar nga pushteti vetëm pak ditë më parë, më 14 janar, si pasojë e protestave popullore. Përballë trazimit politik që i parapriu 21 janarit, Edi Rama bëri këtë koment në Top Channel:

“Nuk bëhet fjalë a do të ketë apo jo dhunë, kjo është tërësisht e përjashtuar përsa na takon ne”, deklaronte ai.

Kjo nuk i pengoi demonstruesit që të nesërmen të kalonin shpejt në dhunë. Në përleshje me policinë, demonstruesit i vunë zjarrin makinave të parkuara dhe goditën kryeministrinë. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë me presion, kurse garda e Republikës me armë zjarri. Bilanci: 4 viktima dhe disa të plagosur.

Reagoi Presidenti i Republikës Bamir Topi, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Bashkimi europian dhe OSBE, duke shprehur keqardhje që demonstrata nuk kishte qenë paqësore dhe kishte pasur viktima. Reagime erdhën nga kryeministri Berisha dhe kryetari i partisë socialiste Edi Rama.

“Disponojmë të dhëna të plota, një armë të sofistikuara, çadra pistoletë, stilolapsa pistoletë, thika me helm”, deklaronte Kryeministri i asaj kohe, Sali Berisha.

“Jam pa fjalë përballë provës së fortë me jetë të humbura të një shqipërie që është marrë peng”, shprehej në atë kohë Edi Rama.

Pasojat e menjëhershme politike të 21 janarit ishin thellimi i konfliktit politik. Policia refuzoi të ekzekutojë urdhër-ndalimet e prokurorisë për krerët e gardës së Republikës, kurse kryeministri Berisha kaloi në sulm kundër Presidentit dhe prokurores së përgjithshme me një fjalor të pazakontë.

“Ata që flasin për ngjarje bulevardi, nuk janë gjë tjetër, më falni për shprehjen veçse horra dhe lavire bulevardi”, deklaronte Sali Berisha.

Akuzat ndaj protuesve dhe organizatorëve të demontratës nuk i kurse as Ilir Meta

“Të gjithë e panë se për gati një orë, kriminelët, banditët, flokëpalarët, të droguarit e Edi Ramës, dhunuan e sulmuan me ç’patën mundësi policët e këtij populli”, deklaronte në atë kohë, Ilir Meta.

Këto akuza u harruan në pranverën e 2013-ës. Marrëveshja e 1 prillit bëri bashkë Ilir Metën me Edi Ramën, që filluan të bashkëqeverisin bashkë, aty ku e la Berisha. Gjatë përkujtimit të parë të 21 janarit pas ardhjes në pushtet të qeverisë PS-LSI, Ilir Meta zgjodhi me kujdes që të mos ishte në Shqipëri. Ndërkohë, Edi Rama u premtoi familjarëve të viktimave se do të vinte në vend drejtësinë. Premtim, që e përsërit që prej atij momenti, çdo vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA