Konsorciumi turk që ka paraqitur ofertën për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës është i njëjti që po ndërton aeroportin më të madh në botë, atë të Stambollit me vlerë 22 miliardë euro. Në krye të tij qëndron Cengiz Construction, e zotëruar nga biznesmeni Mehmet Cengiz.
Gazeta prestigjioze gjermane Suddeutsche Zeitung ka raportuar se nga momenti që Erdogan u ngjit në pushtet në vitin 2002, Mehmet Cengiz ka fituar mbi 50 miliardë dollarë tendera, ose më shumë se 3 miliardë në vit.
Gazeta gjermane e cilëson Mehmet Cengiz si pjesë e një kaste biznesmenësh, afër partisë së Erdoganit, të ashtuquajturit Tigrat e Anadollit. Ndërsa Uashington Post vlerëson se Cengiz është shembull i sistemit klientelist në Turqi. Në vitin 2012, kur Cengiz së bashku me dy kompanitë e tjera që kanë paraqitur ofertë për Aeroportin e Vlorës, fituan kontratën për aeroportin e Stambollit, Prokuroria turke, e cituar nga agjencia “Reuters”, lëshoi urdhra ndalimi për Mehmet Cengiz dhe disa biznesmenë të afërt me presidentin Erdogan.
Ata u dyshuan për disa kontrata, përfshirë atë të aeroportit të Stambollit. Por urdhrat e arrestit të prokurorisë turke nuk u zbatuan nga policia. Vetë Erdogan, asokohe kryeministër, e quajti përpjekjen si një grusht shteti.
Ndonëse pak ditë më vonë dy ministra në kabinetin e tij, ai i kulturës dhe ministri i mjedisit dhanë dorëheqjen, duke hedhur akuza publike ndaj ish-shefit të tyre Erdogan, për lidhje të dyshimta me bizneset e ndërtimit.
Hetimet në Turqi u mbyllën edhe në sfondin e një beteje politike mes mbështetësve, që filloi me shkarkimin e dhjetëra prokurorëve dhe shefave të policisë, për t’u mbyllur me grushtin e dështuar të shtetit të korrikut 2016 ndaj Erdoganit dhe arrestimet masive që pasuan.
6 vjet pas tenderit për aeroportin e Stambollit, gjigandi Cengiz Construction do të ndërtojë një tjetër aeroport, këtë herë në Vlorë. Por ashtu si në rastin e tenderit për Aeroportin e Stambollit, sërish vendimi duket se është marrë në të njëjtën zyrë, siç njoftoi vetë kryeministri Rama në 4 shkurt 2017.
Ministria e Transporteve tha se aeroporti do të ndërtohet me paratë e kompanive private, por nuk pranoi të japë detaje mbi projektin, se sa do të kushtojë dhe si do të shpërblehen këto kompani. Në Turqi aeroporti po ndërtohet me garanci sovrane, që do të thotë se shteti del garant për fitimin e kompanisë.
A do të jetë edhe këtu e njëjta formulë? Këto detaje do të zbulohen në vijim, përpara se kontrata të kalojë për miratim në Parlament. Por edhe në tenderin e aeroportit të Vlorës, emrat janë të njëjtë me ata të Stambollit.
Top Channel