Wenger: Sanchez, tek United brenda 24 orëve

18/01/2018 11:18

Tekniku francez Arsene Wenger ka zbuluar për mediet faktin se, Alexis Sanchez refuzoi “maksimumin” që klubi mund të bënte për të, vetëm e vetëm që të siguronte një marrëveshje prej 450 mijë paund në javë te Manchester United.

Ai konfirmoi se Sanchez mund të kalojë në “Old Trafford” brenda 24 orëve, pasi United ofroi atë që mund ta bëjë kilianin lojtarin me pagën më të lartë në historinë e Premier League.

Kiliani Sanchez do të përfitojë tashmë një pagë prej 350 mijë paund në javë, shto këtu edhe të drejtat nga imazhi prej 100 mijë paund në javë, si dhe një shumë prej 7.5 mln paund në vit për 4 vitet e ardhshme.

Teksa ka folur në konferencën për shtyp përpara ndeshjes që “topçinjtë” do të luajnë ndaj Crystal Palace, Wenger këmbënguli se nuk ka asnjë keqardhje për Sanchezin, edhe pse ai refuzoi një kontratë të re pasanikësh në “Emirates”.

“Nuk kam ndonjë problem me Sanchezin. Ai u stërvit me ne edhe dje. Ai është 29 vjeç dhe kontrata e re është shumë e rëndësishme për atë si lojtar. Ne bëmë maksimumin që mund të bënim. Kalimi te United mund të ndodhë, por edhe mund të mos ndodhë. Jemi pikërisht në këtë fazë. Nëse ai nuk largohet, Sanchez do të luajë të shtunën kundër Crystal Palace”, tha Wenger.

I pyetur nëse marrëveshja e re, që do t’i shtojë arkës së “topçinjve” 20 milionë paund dhe 15 milionë të tjera për agjentin e Sanchezit, do të përmbyllet brenda 24 orëve, Wenger shtoi:

“Kam 30 vite që merrem me transferime lojtarësh. Me shumë gjasa kalimi do të kryhet, por në çdo moment marrëveshja edhe mund të zhbëhet. Për sa kohë që nuk është zyrtarisht e përfunduar, të gjithë duhet të pranojmë se edhe mund të mos realizohet. E lashë jashtë grumbullimit për Bournemouthin, sepse transferimi ishte thuajse i realizuar. Ndoshta mund të ndodhë tani, ndoshta brenda 24 ose 48 orëve, por ndoshta edhe jo”.

Wenger konfirmoi gjithashtu se armeni i United, Henrikh Mkhitaryan është shumë pranë ndryshimit të klubeve, në kahun e kundërt me atë të Sanchezit, pra drejt transferimit në Londrën veriore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA