Vendimet e Gjykatës Kushtetuese; Gjata: Mungesa e kuorumit, arsye për të përsëritur ankimin

18/01/2018 19:47

Juristi Çlirim Gjata mendon se një vendim i marrë dje nga Gjykata Kushtetuese me 4 vota pro dhe 3 kundër, i jep të drejtë ankimuesëve ta paraqesin sërish kërkesën. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese merren me të paktën 5 vota, por Gjykata ka 2 anëtarë më pak dhe shqetësimi për mungesën e kuorumit është ngritur më herët edhe nga vetë kryetari i Gjykatës.

Juristi Çlirim Gjata mendon se Unioni i Prokurorëve mund ta vazhdoje betejën ligjore në Gjykatën Kushtetuese kur të plotësohen 2 vendet vakant në këtë Gjykatë. Nga 9 anëtarë që duhet të ketë, Gjykata ka 7. Kjo dha një votim 4 me 3, që sipas zotit Gjata nuk ka bërë interpretimin përfundimtar të kushtetutës, që kërkon të paktën 5 vota.

“Gjykata Kushtetuese bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Përderisa kemi një votim 4 me 3, në kuptimin që nuk ka marrë 5 vota. Në këto kushte nuk kemi një interpretim përfundimtar, për të pasur një interpretim përfundimtar duhet të kemi minimumi 5 vota. Deri sa kjo nuk është, palët kanë të drejtë që nesër kur të ketë një kuorum tjetër të Gjykatës Kushtetuese, ose kur të kemi anëtarët e plotë mund t’i ngrenë prapë të njëjtën padi”, u shpreh juristi Çlirim Gjata.

Shqetësimi për kuorumin ishte ngritur prej vetë kryetarit të gjykatës në këtë intervistë për Top Channel. Kurse kryetari i Unionit të Prokurorëve Ndini Tavani, i kontaktuar me telefon tha se prokurorët do të presin vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur se çfarë do të bëjnë.

Unioni i Prokurorëve kundërshton gjyqtarin paraprak, një gjyqtar i vetëm që do të vendosë nëse një dosje e një apo më shumë prokurorëve, për të cilën mund të jenë dashur muaj të tërë hetime, do të shkojë apo jo për gjykim.

Prokurorët i ndruhen faktit se SPAK-u, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që pritet të krijohet për të hetuar veprat e korrupsionit në politikë e drejtësi, do të ketë një filtër në gjykatë, ende pa filluar procesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA