Lisandro Lopez e ka cilësuar kalimin te Inter si realizimin e një ëndrre dhe përforcoi bindjen se skuadra e tij e re duhet të kualifikohet në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Përmes një prezantimi në platformën sociale të klubit, mbrojtësi qendror 28-vjeçar premtoi se do të japë maksimumin për fanelën e re.
Të dielën do të jetë menjëherë një test i vështirë ndaj Romës në “San Siro” dhe Lisandro Lopez kërkon të jetë menjëherë në fushë.
“Sigurisht që do të vendosë trajneri, por unë jam gati për të luajtur dhe ndihem në formë. Pikat e mia të referimit janë Demikelis dhe Samuel me këtë të fundit që kishte shpirt të madh sakrifice dhe grintën e duhur, çka e bënë të rëndësishëm te Inter”, tha blerja më e re e zikaltërve. Por drejtuesit kërkojnë të mos ndalen me kaq.
Po profilizohet në orët e fundit huazimi i sulmuesit Daniel Sturridge. Futbollisti i Liverpulit nuk po gjen hapësirë në formacionin e Jurgen Klopp edhe pse vetëm së fundmi është rikuperuar pas një dëmtimi në Ligën e kampioneve. Vetëm 1 ndeshje si titullar deri tani, e shtyjnë sulmuesin me ngjyrë të kërkojë sistemim të përkohshëm, dhe Inter synon ta marrë pa detyrim blerje në muajin qershor.
Top Channel