Mirela Balisi vetëm 44 vjeç , që prej 6 muajsh është diagnostikuar me kancer gjiri. Por ka plot 6 muaj që mjekët i kërkojnë të bëjë një analizë molekulare, e cila quhet imunohistokimi, por nuk e bën dot, ndonëse ka filluar trajtimin me kimioterapi.
“Këtë analizën nuk e bëj dot në privat, më thanë që kushton 400 mijë lekë, këtu në spital më thonë mungojnë reagentët”, shprehet Mirela Balisi.
Mirelen e gjen çdo ditë në korridoret e shërbimit Onkologjik, teksa interesohet të bëjë këtë analizë pasi në spital privat, ajo nuk e përballon, Mirela është nënë e dy djemve, e divorcuar dhe papunë.
“Po nuk e bëj dot, djali punon kamerier, me 100 lekësha që i falin merr 120 mijë lekë. Mua aq më bën qiraja e shtëpisë. Imagjino si jetojmë”, thotë Mirela.
Sëmundja e rëndon çdo ditë, por më tepër frika se këtë analizë nuk po e bën dot dhe ajo tani ka mësuar që edhe trajtimi i mëvonshëm është shumë i kushtueshëm dhe në spital mungon.
“Plus kësaj, unë pastaj do më duhet të trajtohem me hercepinë, po dëgjoj këtu e vijnë dhe ikin se mungon në spital”, shprehet Mirela.
Ndërkohë, Top Channel u interesuar pranë laboratorit të shërbimit onkologjik dhe thanë se që prej 6 muajsh mungojnë reganetë për të bërë analizën e Mirelës. Ndërkohë që për ghereceptine ,thuhet se do të mbërrijë së shpejti, po nuk ka një datë të caktuar.
Top Channel