Pasardhësit e luftëtarëve që qëndruan krah Skënderbeut 5 shekuj më parë, morën pjesë në meshën e mbajtur në nder të heroit tonë kombëtar në katedralen e Shën Nikollit. Ceremonitë në përkujtim të heroit vijuan më pas në memorialin e Skënderbeut, ku është përcjellë edhe mesazhi i Papa Françeskut.
“Ai na thotë neve se si kemi qenë guximtarë, se si kemi arritur të bashkojmë fise të ndryshme, në krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe për të bërë një shtet. Sot, ai thotë, të dashur shqiptarë kudo që jeni mundohuni të bashkoheni në emër të Zotit”, u shpreh Anxhelo Masafra.
Pas pesë shekujve, arbëreshët e ruajnë gjuhen shqipe.
“Ne jemi shumë të kënaqur dhe shumë të gëzuar. Ne flasim të gjithë një gjuhë dhe kemi të gjithë një kulturë”, shprehet një arbëresh.
Pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të komunitetit mysliman shqiptar. Myftiu Agim Tereziu tha se myslimanët nuk kanë asnjë gjë për figurën e heroit, përkundrazi, e shikojnë ata si pikë bashkimi.
“Nëse do të merremi sa vite ka qenë mysliman, sa vite ka qenë ortodoks dhe sa vite ka qenë katolik, atëherë shkojmë drejt përçarjes. Këto njerëz të mëdhenj duhen ndjekur në shembullin e tolerancës fetare që na kanë lënë trashgim”, u shpreh Agim Tereziu, myfti.
Top Channel