Kryeministri i Japonisë ka udhëtuar për 8700 km për një vizitë historike në Rumani, për të zbuluar se homologu i tij nuk mund ta priste.
Shinzo Abe u bë i pari shef i qeverisë japoneze në histori që bën një vizitë zyrtare në Bukuresht, por koha e zgjedhur për këtë nuk ishte e duhura. Ai mbërriti në vend pasi kryeministri rumun, Mihai Tudose, dha dorëheqjen të hënën në mëngjes sepse humbi mbështetjen e partisë së tij. Dorëheqja trazoi programin e Abes, i cili vizitoi Rumaninë si pjesë e një turi të tij në vendet e Evropës Lindore.
Në vend që të takonte Tudose, Abe u njoh me kulturën rumune. Ai dhe bashkëshortja vizituan Muzeun Kombëtar të Bukureshtit, Dimitrie Gusti, që tregon jetën në komunitetet rurale të vendit. Më pas, për të evituar sikletin, u mbajt 24 orë më herët nga sa ishte parashikuar në axhendë takimi me Presidentin Klasu Iohannis. Pavarësisht se Abe nuk bëri asnjë takim në qeverinë e Rumanisë, ato të nivelit më të ulët vijuan sipas planit.
Abe ishte në etapën e fundit të udhëtimit të tij në Evropën Lindore, me ndalesa të mëhershme në Estoni, Letoni, Lituani, Bullgari dhe Serbi.
Top Channel