Fitimet shokuese të agjentëve të futbollit

17/01/2018 17:42

Agjentët e futbollistëve janë konsideruar shpeshherë nga trajnerët si e keqja më e madhe e sportit më popullor në planet, e madje edhe më keq sesa dopingu. Fitimet e tyre kolosale dhe marrëveshjet shpeshherë në formë shantazhi mes palëve i kanë kthyer në superfuqi, disa emra që kanë qenë thjesht ndërmjetës në nisjen e një profesioni që tani garanton pushtet dhe parà.

Një studim i ri i UEFA-s tregon se agjentët kanë fituar thuajse 3 miliardë euro në komisione mbi transferimet e futbollistëve vetëm në kontinentin europian, e kjo në harkun e 5 viteve. Aktiviteti financiar i transferimeve ka kapur shifrën 22 miliardë euro në total, e sipas qeverisë së futbollit kontinental, këto janë të dhëna alarmuese pasi 13% e xhiros humbet në këtë lloj rulete ruse.

Agjentë të tillë si Mino Raiola apo Jorge Mendez përfaqësojnë yjet më të njohur të futbollit, e jo më kot nga sezoni në sezon, lojtarë si Ronaldo, Ibrahimoviç, Pogba apo Neymar ndryshojnë skuadra apo kërkojnë marrëveshje të përmirësuara financiare, gjithçka nën diktatin e agjentëve.

UEFA ka zbuluar se, në të paktën 32 transferime në vitin e kaluar, komisionet e transferimeve kanë qenë të paktën një milion euro. Në analizën e 55 shteteve që janë pjesë e UEFA-s është përfshirë gjithashtu edhe Shqipëria. Por komisionet e lëvizjeve që përfshijnë Kategorinë Superiore janë qesharake, krahasuar me 5 kampionatet kryesore europiane.

Një shembull domethënës vjen vetëm nga vera e vitit 2017. Shumë lëvizje të lojtarëve të paguara mbi 15 milionë euro kishin pas krahëve superagjentin Jorge Mendez, që përfaqëson Cristiano Ronaldon dhe trajnerin Mourinho. Agjencia “Gestifute” e superagjentit ishte nismëtarja numër një e lëvizjeve dhe përmirësimit të kontratave me presidentët e klubeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA