“Demokracia po sulmohet e tkurret në mbarë botën”, thuhet në raportin e fundit të organizatës “Freedom House”, që mban titullin “Liria nëpër botë 2018”.
Grupi joqeveritar, me seli në Uashington, e rendit Shqipërinë së bashku me Kosovën, Maqedoninë, Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi nga rajoni, si vende pjesërisht të lira.
Ndërsa Serbia dhe Kroacia radhiten në mesin e vendeve të lira.
“Demokracia po përballet me krizën më të rëndë në dekada të tëra”, tha presidenti i “Freedom House”, Michael Abramoëitz.
“Parimet themelore të saj, përfshirë garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, të drejtat e pakicave, lirinë e shprehjes dhe sundimin e ligjit, janë nën rrethim në të gjithë botën”, shtoi ai.
Raporti thotë se viti 2017 ka qenë i 12-ti radhazi i rënies së lirisë globale – me 71 vende që kanë vuajtur rënie në të drejtat politike dhe liritë civile. Në fund të listës janë Siria, Sudani Jugor, Eritrea, Koreja e Veriut dhe Turkmenistani.
Sipas organizatës, që ka analizuar të dhënat nga 195 vende, në vitin 2017, 88 vende radhiten në mesin e vendeve të lira, 59 janë me liri të pjesshme dhe 49 radhiten në mesin e vendeve jo të lira.
Liritë në botë publikohen që nga viti 1973, duke i dhënë mundësinë organizatës “Freedom House” të ndjekë trendet globale për më shumë se 40 vite.
Ndër gjetjet kryesore të raportit është dobësimi i Shteteve të Bashkuara, si një kampion i demokracisë, një pozicion i ndërlikuar edhe më shumë për shkak të hetimeve të vazhdueshme për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Top Channel